Të paktën 27 gazetarë janë vrarë në sulmet izraelite në Liban që nga 2 marsi, së bashku me shumë të tjerë të plagosur, thanë të enjten redaktorët e Sindikatës së Shtypit të Libanit.
Në një deklaratë, sindikata dënoi shënjestrimin e një grupi gazetarësh në qytetin jugor Tayri të mërkurën, ku u vra reporterja Amal Khalil dhe u plagos kolegia e saj Zeinab Faraj.
Sindikata tha se Khalil kishte marrë më parë kërcënime me vdekje nga ushtria izraelite.
“Me vrasjen e saj, numri i gazetarëve dhe punonjësve të medias të vrarë është rritur në 27, përveç një numri të madh të plagosurish,” thuhet në deklaratë.
Sindikata i bëri thirrje Federatës së Gazetarëve Arabë të bashkëpunojë me sindikatat ndërkombëtare dhe arabe të shtypit për të mbështetur gazetarët libanezë mes sulmeve të qëllimshme izraelite.
Gjithashtu u kërkoi gazetarëve që punojnë në terren në Liban të tregojnë kujdes, të shmangin zonat me rrezik të lartë dhe të koordinohen me ushtrinë libaneze dhe forcat e tjera zyrtare të sigurisë në zonat e ekspozuara ndaj sulmeve izraelite, përfshirë UNIFIL, Kryqin e Kuq libanez dhe ekipet lokale të ndihmës, “për të shmangur çdo rrezik fatal të papritur”.
Sindikata tha se veprimet e Izraelit ndaj civilëve libanezë, veçanërisht gazetarëve, “kanë tejkaluar çdo kufi”, duke i bërë thirrje qeverisë libaneze të ndërmarrë veprime urgjente në organizatat ndërkombëtare dhe të paraqesë një padi ligjore kundër Izraelit.
Gjatë sulmit të së mërkurës, forcat izraelite penguan Kryqin e Kuq dhe forcat e ushtrisë libaneze të arrinin dy gazetarët dhe goditën një rrugë që lidh Tayri me Haddatha për të bllokuar ekipet e shpëtimit, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve NNA.
Që nga 2 marsi, sulmet izraelite në Liban kanë vrarë 2.475 persona, kanë plagosur 7.696 dhe kanë zhvendosur më shumë se 1,6 milion njerëz, sipas të dhënave zyrtare.
Një armëpushim 10-ditor i shpallur nga ShBA-ja më 16 prill pritet të skadojë të dielën dhe është shkelur çdo ditë nga Izraeli.




















