| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kosova dhe Mali i Zi me marrëveshje për njohjen e shërbimeve të besuara dhe identifikimit elektronik
Ministri i Digjitalizimit dhe i Administratës Publike i Kosovës, Lulëzon Jagxhiu, tha se të gjitha reformat që po bëhen në digjitalizim, po bëhen në kontekstin e integrimit evropian të Kosovës.
Kosova dhe Mali i Zi me marrëveshje për njohjen e shërbimeve të besuara dhe identifikimit elektronik
Kosova dhe Mali i Zi me marrëveshje për njohjen e shërbimeve të besuara dhe identifikimit elektronik

Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të shërbimeve të besuara dhe identifikimit elektronik.

Ministri i Digjitalizimit dhe i Administratës Publike i Kosovës, Lulëzon Jagxhiu, tha se Kosova dhe Mali i Zi ka marrëdhënie shumë të mira miqësore që bazohen në vlera të përbashkëta, respekt të ndërsjellë dhe aspirata të përbashkëta për në Bashkimin Evropian (BE).

Jagxhiu tha se, të gjitha reformat që po bëhen në digjitalizim, po bëhen në kontekstin e integrimit evropian të Kosovës.

"Kjo është shumë me rëndësi për qytetarët tanë për shkak se hap derën për shërbime plotësisht digjitale që i tejkalojnë kufijtë e vendit tonë. Në anën tjetër kjo është pjesë edhe e zotimeve tona në kuadër të agjendës së dakorduar me BE-në dhe është një hap dhe pjesë e angazhimeve tona drejt integrimit në tregun e vetëm digjital të BE-së", theksoi Jagxhiu.

Ai tha se ky proces do të vazhdojë edhe me vende tjera të rajonit me synimin që të arrihet bashkëpunim edhe më i gjerë edhe me vendet e BE-së.

Ministri i Administratës Publike i Malit të Zi, Marash Dukaj, tha se kjo marrëveshje është e madhe sepse po “hiqen kufijtë digjital të Malit të Zi me Kosovën”. "Kjo marrëveshje ka rëndësi shumë të madhe për qytetarët e të dyja vendeve të cilët jetojnë e punojnë në Kosovë, por edhe Mal të Zi. Për bizneset dhe gjithë bashkëpunimin që është kryesor për integrimin tonë të përbashkët në BE", theksoi Dukaj.

Ai tha se Mali i Zi prinë në procesin e BE-së dhe shpreson që procesi të mbyllet në fund të vitit 2028, duke shprehur gatishmëri që shtetet të ndajnë përvojat me njëra-tjetrën. Dukaj tha se deri në fund të tetorit Mali i Zi do të arrijë ta nënshkruajë marrëveshjen e njëjtë me të gjitha vendet e Ballkanit, gjë e cila tha se është një arritje e madhe drejt integrimit në BE.

Marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të shërbimeve të besuara dhe identifikimit elektronik nënkupton që Kosova dhe Mali i Zi do t'i pranojnë reciprokisht identitetet elektronike dhe shërbimet e kualifikuara digjitale të njëra-tjetrës, duke u mundësuar qytetarëve dhe bizneseve të përdorin shërbime publike onlajn, të identifikohen elektronikisht dhe të dorëzojnë dokumente të nënshkruara në mënyrë elektronike në të dyja shtetet. Kjo synon të lehtësojë procedurat administrative ndërkufitare, të zvogëlojë burokracinë dhe të afrojë të dy vendet me standardet e Tregut të Vetëm Digjital të BE-së.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë