Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, tha se Türkiye shpreson të arrijë së shpejti një rezultat për heqjen e sanksioneve amerikane dhe për dëshirën e saj për të blerë avionë luftarakë F-35, duke shtuar se mes aleatëve nuk duhet të ketë kufizime në industrinë e mbrojtjes.
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, i cili vizitoi Ankaranë këtë javë për Samitin e NATO-s, njoftoi të martën se do t’i hiqte sanksionet amerikane të vendosura ndaj Türkiyes për shkak të blerjes së sistemeve ruse të mbrojtjes raketore S-400.
Duke folur për TRT Haber, Fidani tha të premten se ekziston vullnet politik si nga Ankaraja, ashtu edhe nga Uashingtoni për heqjen e sanksioneve dhe se ministrat përkatës po punojnë për zgjidhjen e çështjes.
Në vitin 2020, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj Türkiyes në kuadër të Aktit për Kundërshtimin e Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve, i njohur si CAATSA, për shkak të blerjes së sistemeve S-400.
Ai gjithashtu e përjashtoi Ankaranë nga programi i avionëve luftarakë F-35.
CAATSA dhe F-35
Kryediplomati turk Fidan tha se në marrëdhëniet Türkiye-ShBA mbeten ende dy çështje që duhet të zgjidhen përmes legjislacionit amerikan.
“CAATSA është njëra prej tyre. Çështja e avionëve F-35 është tjetra... Me vullnetin e Zotit, së shpejti do të arrijmë në një përfundim; me fjalë të tjera, nuk mendoj se do të ketë ndonjë problem në këtë drejtim”, tha Fidan.
Dy burime i thanë Reuters këtë javë se pritej që Trump ta mbështeste shitjen e mundshme të avionëve F-35 gjatë vizitës në Ankara.
Rezultatet e Samitit të NATO-s
Fidan theksoi se anëtarët e NATO-s duhet të përqendrohen jo vetëm te ndarja e barrës, por edhe te ndërtimi i një ekosistemi të përbashkët.
Ai tha se koncepti i ndarjes së barrës në NATO “nuk është më thjesht një koncept, por tashmë është kthyer në një politikë të zbatueshme”.
“Kjo është arritja më e rëndësishme e Samitit të NATO-s që Türkiye priti këtë javë në kryeqytetin e saj, Ankara”, shtoi ai.
Samiti ishte një “arritje e jashtëzakonshme” e politikës së jashtme turke, të ndjekur nën udhëheqjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, shtoi ai.
Fidani theksoi se industria e mbrojtjes është tashmë po aq e rëndësishme sa aftësitë ushtarake dhe nuk shihet më thjesht si një element mbështetës, por si një komponent thelbësor i sigurisë.
Kryediplomati turk shtoi se marrëveshjet e industrisë së mbrojtjes brenda Aleancës janë “me rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e industrisë sonë të mbrojtjes”.
Ai gjithashtu vuri në dukje se qëndrueshmëria është ndër temat më të diskutuara.
Fidani nënvizoi se e ardhmja e NATO-s duhet të vendoset kolektivisht nga të gjithë anëtarët e Aleancës.
Ai tha se është diskutuar gjerësisht vetë-mjaftueshmëria industriale e çdo vendi, por tashmë është e qartë se asnjë vend i vetëm nuk mund ta mbajë i vetëm këtë ekosistem.
“Ndërtimi i një ekosistemi të përbashkët mes anëtarëve të Aleancës është po aq i rëndësishëm sa ndarja e barrës”, tha ai.
Lidhur me ndikimin e rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes në NATO dhe marrëveshjes së re të prokurimit të aleancës mbi industrinë e mbrojtjes së Türkiye-s, Fidan tha se nëse këto vendime zbatohen në mënyrë efektive, “do të shohim rezultate shumë pozitive”.
“Nëse anëtarët e aleancës bashkohen me këtë qasje dhe ndërtojnë një ekosistem të industrisë së mbrojtjes, nuk do të ketë probleme as në furnizim, as në qasjen në treg. Kjo do t’i mundësonte industrisë të qëndrojë në këmbë vetë. Përndryshe, do të kërkonte subvencione të vazhdueshme dhe kjo nuk është diçka që mund ta mbajë i vetëm ndonjë vend”, shpjegoi ai.
Lidhur me marrëveshjet e prokurimit prej 50 miliardë dollarësh të nënshkruara së fundmi mes aleatëve të NATO-s, Fidan tha se marrëveshje të tilla janë “jashtëzakonisht të rëndësishme” për të ardhmen e industrisë së mbrojtjes së Türkiyes.
Industria e mbrojtjes e Türkiyes fokusohet tek teknologjitë dhe armët me rëndësi të lartë strategjike, si sistemet e mbrojtjes ajrore, sistemet raketore, avionët luftarakë, mjetet ajrore pa pilot të gjeneratës së re, tufat e dronëve dhe aftësitë kibernetike, tha ai.
“Zhvillimi i këtyre në një kornizë kolektive do të ulte barrën financiare, duke forcuar njëkohësisht qëndrueshmërinë në mbrojtje”, shtoi ai.
Fidani tha se vendet po ndryshojnë qëndrimet e tyre ndaj Türkiyes, duke e përmendur rolin e saj si një partnere e besueshme, e fortë dhe me ndikim.
Ai shtoi se Ankaraja nuk do të bëjë kompromis për sigurinë kombëtare dhe do të kërkojë alternativa nëse aleatët pengojnë përpjekjet e saj për të zhvilluar aftësi kyç.
Kreu i diplomacisë turke tha gjithashtu se “deri në fundjavë mund të arrihet një zgjidhje për t’i zgjidhur dallimet” mes ShBA-së dhe Iranit lidhur me kalimin përmes Ngushticës së Hormuzit, në dritën e tensioneve të rritura së fundmi.
Ai tha se Türkiye po punon pa u lodhur për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë.
Fidani tha se Türkiye po i ndjek nga afër zhvillimet, duke paralajmëruar se sulmet ndaj anijeve tregtare po rriten dhe se lufta po zgjerohet në shtrirje, duke paraqitur një rrezik në rritje për sigurinë rajonale dhe tregtinë.






















