Si rrjedhojë e përshkallëzimit ushtarak në rajonin e Lindjes së Mesme, ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë u bën thirrje shtetasve shqiptarë që të shmangin çdo udhëtim drejt vendeve të rajonit deri në një njoftim të dytë.
Ndërsa për shtetasit të cilët ndodhen aktualisht në rajon, ministria këshillon që të tregojnë vigjilencë maksimale dhe të shqyrtojnë me përparësi mundësinë e largimit përmes linjave ajrore, për aq kohë sa ato vijojnë të jenë funksionale.
Nga minstria kërkohet që qytetarët të ndjekin zhvillimet përmes burimeve mediatike të besueshme dhe kanaleve zyrtare të informacionit, të respektojnë udhëzimet e autoriteteve lokale, si edhe të mbajnë dokumentet e udhëtimit dhe mjetet e komunikimit gjithmonë të gatshme.
Autoriteti shqiptar shton se në rast nevoje, shtetasit mund të kontaktojnë përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë në rajon dhe të veprojnë në përputhje me udhëzimet e tyre.
“Për çdo çështje që lidhet me fluturimet, qytetarët këshillohen të kontaktojnë drejtpërdrejt kompanitë ajrore përkatëse”, informohet më tej.




















