Në Shqipëri janë evidentuar njëzet vatra zjarri gjatë 24 orëve të fundit, ku nëntë prej tyre mbeten aktive, ndërsa një tjetër është vënë nën kontroll.
Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se në terren janë angazhuar 235 forca operacionale dhe 33 automjete zjarrfikëse. Ato mbështeten nga 140 efektivë të Forcave të Armatosura, tre helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.
Situata më problematike paraqitet në Gojan–Gjegjan të Pukës, ku era e fortë dhe terreni i thyer po vështirësojnë ndërhyrjen. Forcat kanë evakuuar disa banorë.
Vatrat e tjera aktive janë raportuar në Mal Milot, Dajt, Shatë të Dukatit, Ballaxhiaj, Kalivaç, Shtuf, Gjorm të Sipërm dhe Hotolisht, ndërsa vatra në Lufaj të Mirditës është nën kontroll dhe monitorim.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po koordinon operacionet me prefekturat, bashkitë dhe strukturat vendore. Forcat mbeten në terren dhe në gatishmëri, me përparësi mbrojtjen e banorëve, banesave dhe pasurive, si dhe izolimin e vatrave aktive.






















