| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Tiranë, vazhdon në ditën e 23-të protesta me moton "Shqipëria nuk është në shitje"
Mijëra protestues, edhe nga diaspora, janë mbledhur sërish në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe anulimin e projektit në Zvërnec, si dhe me kërkesa të tjera.
Tiranë, vazhdon në ditën e 23-të protesta me moton "Shqipëria nuk është në shitje"
Tiranë, vazhdon në ditën e 23-të protesta me moton "Shqipëria nuk është në shitje"/ Foto: AA

Në Shqipëri vazhdojnë protestat mbi çështjen e projektit turistik në zonën e Zvërnecit në Qarkun e Vlorës, kundër ndërtimeve në zona të mbrojtura dhe sipas protestuesve kundër qeverisjes në vend, duke hyrë në ditën e 23-të, raporton Anadolu.

Mijëra protestues, edhe nga diaspora, janë mbledhur sërish në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe anulimin e projektit në Zvërnec, si dhe me kërkesa të tjera.

Në vend ka pasur pretendime se projekti lidhet me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump, duke shkaktuar reagime dhe protesta në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Protestuesit janë mbledhur në Sheshin “Skënderbeu”, për të vijuar drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë. Pas qëndrimit disa orë në bulevard, protestuesit marshojnë në rrugët e kryeqytetit.

- Protestuesi: Të ndryshojmë gjithçka

Ali Bruçi, 40 veç, u shpreh se ka dalë në protestë që nga dita e parë dhe se kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama.

"Kam dalë për kauzat që na mungojnë për shembull cenimi i pronës, mosfunksionimi i ligjeve, që nuk jemi të barabartë me gjithë pjesën (e politikanëve) siç është një fëmijë deputeti, ose fëmijë ministri. Ne nuk jemi të barabartë përballë (politikanëve) dhe jam i detyruar që të rezistoj dhe reagoi në çdo moment për arsye të kauzave kombëtare, si spitali, zyrat ku shkon nuk të shërbejnë. Të ndryshojmë gjithçka, që nga kushtetuta, edhe të bëjmë diçka parimore, të funksionojë gjithçka me rregulla", tha Bruçi.

Duke folur për vijimin e protestave, ai tha: "Absolutisht që (kërkojmë dorëheqjen e kryeministrit Rama), duhet ta kishte bërë, ta kishte dhënë dorëheqjen. Unë e kam ditën e 23-të sot dhe do të vazhdoj derisa të kem frymë".

- "Shqipëria nuk shitet"

Edhe të rinjtë kanë marrë pjesë masivisht në protestë, ku njëri prej tyre është edhe Mario Elezi, 22 vjeç. Elezi thekson se ka dalë në protestë për të mbështetur moton e protestës që është "Shqipëria nuk shitet".

"Shqipëria nuk shitet tek oligarkët. Shqipëria është e shqiptarëve dhe tokë shqiptare. Ne me protestën kërkojmë që Edi Rama të japë dorëheqje. Deri në ditët e fundit që ai(Rama) do të japë dorëheqjen do të vazhdojmë protestat", u shpreh Elezi.

Ai shtoi se pjesëmarrjen në protestë e shikon shumë të kënaqshme dhe sipas tij njerëzit janë shumë të kënaqur me protestën. "Është një protestë paqësore, nuk është protestë me dhunë", tha Elezi.

Të iniciuara nga aktivistë dhe të mbështetura nga qytetarët, protesta është zgjeruar edhe mbi çështje të tjera, si shfuqizimin e kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë, shfuqizimin ligjit të njohur si "Paketa e Maleve" dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

Në lidhje me këtë çështje, në ditët e fundit janë organizuar protesta të ngjashme edhe në qytete të tjera të vendit, ndërkohë janë mbajtur protesta edhe nga shqiptarët që jetojnë në disa vende të Evropës.

Gjatë një proteste më 30 maj në zonën e Zvërnecit u shënuan incidente, ku sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, disa roje të një kompanie private të sigurisë tërhoqën zvarrë një qytetar, duke shkaktuar më pas fillimin e protestave në Tiranë.

Në lidhje me çështjen, kryeministri Rama ka deklaruar se projekti në Zvërnec po ndjek të gjitha procedurat ligjore dhe mjedisore, duke shtuar se deri më tani nuk ka pasur një projekt përfundimtar apo studim të plotë të ndikimit në mjedis.