Gërliq-Radman: Mali i Zi po e politizon Jasenovacin dhe po i thellon ndarjet

Kryediplomati kroat tha se më së paku të drejtë për të folur për Jasenovacin kanë ata që mohojnë gjenocidin në Srebrenicë.

By
Gërliq-Radman: Mali i Zi po e politizon Jasenovacin dhe po i thellon ndarjet / AA

Ministri kroat i Punëve të Jashtme dhe Evropës, Gordan Grliq Radman, theksoi se të gjitha institucionet kroate çdo vit shprehin nderim për viktimat e regjimit ustash gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Kjo është e domosdoshme dhe moralisht obliguese”, tha Gordan Gërliq-Radman, por shtoi se qarqet politike në Mal të Zi që kanë nisur këtë përkujtim kanë më së paku të drejtë të flasin për Jasenovacin, sepse identifikohen me trashëgiminë çetnike, por edhe mohojnë gjenocidin në Srebrenicë.

Ministri tha se këto qarqe nuk veprojnë sinqerisht dhe në fakt nuk shprehin nderim për viktimat, por kryesisht veprojnë në interes të politikave të tyre, qëllimi i të cilave është thellimi i ndarjeve politike dhe përkeqësimi i marrëdhënieve mes Malit të Zi dhe Kroacisë.

“Mali i Zi duhet të dëshmojë se është vërtet përkrahës i anëtarësimit në BE. Me këtë veprim që po e paralajmërojnë për nesër, ata vetëm e përdorin këtë temë për të thelluar ndarjet politike dhe për të ashpërsuar marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kroacisë”, theksoi ministri kroat i Punëve të Jashtme pas mbledhjes së Qeverisë së Kroacisë, raporton HRT.

Ai përsëriti se Mali i Zi duhet të përballet me të kaluarën e errët të viteve ’90, gjatë së cilave qytetarët e tij sulmuan dhe shkatërruan Dubrovnikun, si dhe plaçkitën, vranë dhe dërguan popullsinë civile në kampin Morinj.

Kuvendi i Malit të Zi më 21 prill për herë të parë do të shënojë Ditën e Përkujtimit të viktimave të gjenocidit në kampet Jasenovac, Mauthausen dhe Dachau, pas miratimit në qershor 2024 të rezolutës për Jasenovacin. Rezoluta u miratua në parlamentin malazez me votat e shumicës qeverisëse, me bojkot të një pjese të opozitës.

Ky vendim që atëherë ka shkaktuar notë proteste nga Kroacia dhe ka përkeqësuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve. Programi përkujtimor do të mbahet në Podgoricë me pjesëmarrjen e artistëve dhe grupeve muzikore.

Kryetari i Iniciativës Qytetare Kroate, Adrijan Vuksanoviq, theksoi se dënimi i regjimit ustash është i domosdoshëm, por paralajmëroi se temën e Jasenovacit po e përdorin qarqe politike të lidhura me trashëgiminë çetnike dhe mohimin e gjenocidit në Srebrenicë.

Ai vlerësoi se një veprim i tillë nuk kontribuon në nderimin e viktimave, por thellon ndarjet politike dhe dëmton marrëdhëniet me Kroacinë. Sipas Vuksanoviqit, kjo i shkakton dëm edhe rrugës evropiane të Malit të Zi, duke paralajmëruar se nuk po ndërtohet dialog, por “po hapen llogore”.

Ai shtoi gjithashtu se pas këtij përkujtimi qëndrojnë promovues të politikës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ndërsa komuniteti kroat në Mal të Zi mbetet i përkushtuar për ruajtjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore.