Trafiku i pasagjerëve në Aeroportin e Frankfurtit ra ndjeshëm në prill pas një serie grevash të punëtorëve në Lufthansa, të cilat shkaktuan ndërprerje të fluturimeve, njoftoi të premten operatori i aeroportit, Fraport.
“Rreth 4,8 milionë pasagjerë udhëtuan përmes Aeroportit të Frankfurtit (FRA) në prill 2026, një rënie prej 11 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar”, tha kompania në përditësimin mujor të trafikut.
Fraport tha se rënia ishte “kryesisht si pasojë e grevave në Lufthansa”, të udhëhequra nga sindikata e pilotëve Vereinigung Cockpit dhe sindikata UFO, që përfaqëson ekuipazhin e kabinës.
Sipas raportit të kompanisë, grevat zgjatën gjithsej gjashtë ditë dhe prekën drejtpërdrejt rreth 500 mijë pasagjerë.
Fraport tha se ndikimi nuk u kufizua vetëm te radhët e gjata dhe anulimet e fluturimeve. Vëllimi i ngarkesave, përfshirë transportin ajror të mallrave dhe postës, ra me 0,6 për qind në prill, pasi grevat në Lufthansa Cargo dhe kapaciteti i reduktuar i mallrave në fluturimet e pasagjerëve penguan dërgesat.
Në të gjithë grupin, numri total i pasagjerëve në aeroportet që menaxhohen në mënyrë aktive nga Fraport ra me 6.2 për qind, në rreth 12.2 milionë gjatë prillit.






















