Në Shqipëri vazhdon protesta e thirrur nga studentët dhe e mbështetur nga pedagogë, grupe të tjera të shoqërisë dhe qytetarë, ndërkohë nuk janë shënuar tensione të larta si në protestat e kaluara.
Edhe gjatë ditës së sotme protestuesit pas marshimit në disa rrugë të Tiranës janë mbledhur edhe pranë selisë së Ministrisë së Arsimit, ndërkohë kanë bërë thirrje që studentët t’i bashkohen masivisht protestës.
Gjatë nisjes së tubimit para ministrisë është raportuar për disa protestues të shoqëruar nga policia dhe për pengim të punës së gazetarëve, ndërkohë nga policia nuk ka një reagim zyrtar për zhvillimet në protestën e sotme.
Më pas, një grup i protestuesve marshuan drejt Bulevardit "Dëshmorët e Kombit", duke protestuar para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përsëritur edhe sot thirrjet për dialog, ndërkohë protestuesit kanë refuzuar të dërgojnë përfaqësues për të parashtruar kërkesat.
Në Shqipëri, në ditët e fundit janë mbajtur protesta të thirrura nga studentët dhe të mbështetura nga pedagogë, nxënës të shkollave të mesme dhe nga qytetarët, të cilat janë shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, akteve të dhunës dhe dëmtim të pronës publike dhe institucioneve.
Protestuesit kanë pretenduar se shqetësimet e ngritura lidhen me nevojat e studentëve, të cilat sipas tyre nuk janë adresuar në vitet e fundit, ndërkohë kërkesat janë zgjeruar dhe në çështje të tjera.






















