Ministri i Jashtëm turk do të presë takim për Gazën në Istanbul të hënën
Në takim do të trajtohen zhvillimet e fundit lidhur me armëpushimin e 10 tetorit dhe situatën humanitare në Gaza.
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, do të presë të hënën në Istanbul një takim për Gazën, thanë burime diplomatike turke.
Sipas burimeve, në takim pritet të marrin pjesë ministrat e jashtëm të Türkiyes, Emirateve të Bashkuara Arabe, Indonezisë, Katarit, Pakistanit, Arabisë Saudite dhe Jordanisë, të njëjtat vende që u takuan me presidentin e ShBA-së, Donald Trump, më 23 shtator, në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Në takim do të trajtohen zhvillimet e fundit lidhur me armëpushimin e 10 tetorit dhe situatën humanitare në Gaza.
Fidan pritet t'i dënojë përpjekjet e Izraelit për të krijuar pretekste për përfundimin e armëpushimit, duke theksuar se komuniteti ndërkombëtar duhet të mbajë një qëndrim të vendosur ndaj veprimeve provokuese të Tel Avivit.
Ai do ta nënvizojë gjithashtu rëndësinë e veprimit të koordinuar midis vendeve myslimane në mënyrë që armëpushimi të shndërrohet në paqe të qëndrueshme.
Fidan do të theksojë se ndihma humanitare që hyn aktualisht në Gaza është e pamjaftueshme dhe se Izraeli nuk ka përmbushur detyrimet e tij në këtë çështje kyç.
Duke theksuar se garantimi i furnizimit të pandërprerë të ndihmës së mjaftueshme humanitare për Gazën është një domosdoshmëri humanitare dhe ligjore, ai gjithashtu do të nënvizojë se duhet ushtruar presion mbi Izraelin për të përmbushur këto nevoja.
Fidan pritet të theksojë nevojën për zbatimin e shpejtë të rregullimeve që do t’u mundësonin palestinezëve ta marrin përgjegjësinë për sigurinë dhe administrimin e Gazës, duke mbrojtur të drejtat e tyre legjitime dhe duke ruajtur vizionin e zgjidhjes me dy shtete.
Ai gjithashtu do ta vërë në dukje rëndësinë e ruajtjes së konsultimeve dhe koordinimit të ngushtë për hapat që do të ndërmerren në kuadër të platformave të OKB-së, shtuan burimet.