Izraeli ka ndaluar Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) të vizitojë të burgosurit palestinezë të ndaluar në bazë të një ligji që synon “luftëtarët e paligjshëm”, tha të mërkurën ministri i Mbrojtjes, Israel Katz.
“Mendimet që më janë paraqitur nuk lënë asnjë dyshim se vizitat e Kryqit të Kuq për terroristët në burgje do të dëmtonin seriozisht sigurinë e shtetit. Siguria e shtetit dhe e qytetarëve tanë vjen e para’’, tha Katz, sipas një deklarate nga zyra e tij.
Urdhri ndalon KNKK-në të vizitojë disa mijëra të ndaluar të përfshirë në një listë bashkëngjitur atij.
Në praktikë, urdhri do të bëjë ligjërisht të vlefshëm status quo-në që ka qenë në fuqi që nga fillimi i luftës në Gaza.
KNKK-ja thotë se nuk i është lejuar t'i vizitojë të ndaluarit në burg që prej asaj kohe, përveç intervistave para lirimit të kryera gjatë marrëveshjeve të armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve në Gaza.


















