Presidenti ukrainas kërkon ndërprerje të eksporteve të naftës nga Rusia

Zelenskyy tha se mbi 110 anije cisternë nga “flota e fshehtë” e Rusisë ndodhen aktualisht në det, duke transportuar mbi 12 milionë tonë naftë.

By
Presidenti ukrainas kërkon ndërprerje të eksporteve të naftës nga Rusia / TRT Balkan

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, bëri thirrje sot për ndërprerjen e eksporteve të naftës ruse, duke thënë se lehtësimi i vazhdueshëm i sanksioneve ndaj Moskës “ushqen iluzionin e udhëheqjes ruse se mund ta vazhdojnë luftën”, transmeton Anadolu.

Zelenskyy tha se mbi 110 anije cisternë nga “flota e fshehtë” e Rusisë ndodhen aktualisht në det.

“Në bord gjenden mbi 12 milionë tonë naftë ruse, e cila, për shkak të lehtësimit të sanksioneve, mund të shitet sërish pa pasoja. Kjo është 10 miliardë dollarë – një burim që shndërrohet drejtpërdrejt në sulme të reja ndaj Ukrainës”, tha ai në rrjetin social amerikan X, duke shtuar se “çdo dollar i paguar për naftën ruse është para për luftën”.

“Prandaj është e rëndësishme që cisternat ruse të ndalen dhe të mos lejohen të dërgojnë naftë në porte”, tha ai.

Zelenskyy shtoi se Rusia ka lëshuar mbi 2.360 dronë sulmues, më shumë se 1.320 bomba ajrore të drejtuara dhe gati 60 raketa të llojeve të ndryshme gjatë javës së fundit.