Hoxha-Konjufca: Momenti pozitiv në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në duhet të shfrytëzohet pa vonesë

“Dhënia e statusit të vendit kandidat për Kosovën është një domosdoshmëri politike dhe strategjike e mirëvendosur në kohë dhe një investim me vlerë për të ardhmen evropiane të rajonit tonë”, theksoi Hoxha.

By
Hoxha-Konjufca: Momenti pozitiv në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në duhet të shfrytëzohet pa vonesë / TRT Balkan

Shqipëria dhe Kosova kanë riafirmuar vullnetin për thellimin e bashkëpunimit strategjik dhe angazhimin për forcimin e rolit të diasporës shqiptare, gjatë një takimi midis ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, dhe homologut të tij kosovar, Glauk Konjufca, në kuadër të Samitit të IV-të të Diasporës në Tiranë. 

Ministri Hoxha në rrjetin social amerikan X tha se ky samit është një dëshmi e qartë e “vullnetit tonë të përbashkët” për të shndërruar diasporën shqiptare në “një fuqi të organizuar dhe vendimtare për të ardhmen tonë kombëtare”.

“Diaspora jonë mbetet një aset i pazëvendësueshëm, një urë e gjallë që lidh kombin tonë me botën dhe një motor i fuqishëm zhvillimi, që kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e ekonomisë, shoqërisë dhe identitetit tonë”, shkroi ai.

Hoxha tha se në takimin me ministrin Konjufca theks i veçantë iu dha nevojës për riaktivizimin e mekanizmave të përbashkët institucional, si dhe përshpejtimin e projekteve madhore kombëtare.

“Në vijim të një dialogu intensiv dhe të frytshëm, takimi i sotëm riafirmoi vendosmërinë tonë për të çuar përpara bashkëpunimin strategjik Shqipëri-Kosovë. Ne jemi të vendosur ta thellojmë këtë bashkëpunim në çdo fushë prioritare, nga ekonomia dhe infrastruktura te energjia, arsimi, kultura, mbrojtja dhe siguria”, tha ai.

Në planin rajonal dhe ndërkombëtar, Hoxha theksoi se Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për Kosovën dhe perspektivën e saj euroatlantike.

“Theksuam qartë se momenti pozitiv në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në duhet të shfrytëzohet pa vonesë. Dhënia e statusit të vendit kandidat për Kosovën është një domosdoshmëri politike dhe strategjike e mirëvendosur në kohë dhe një investim me vlerë për të ardhmen evropiane të rajonit tonë”, theksoi Hoxha.

Sipas tij, Shqipëria do të vijojë të jetë një zë i fuqishëm në mbështetje të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, në çdo aspekt.

“Ne nuk kemi luksin e pritjes. Koha kërkon veprim, vendosmëri, bashkërendim dhe unitet. Prandaj, riafirmuam angazhimin tonë për koordinim të ngushtë dhe veprim të përbashkët në çdo çështje të interesit kombëtar, me synimin e qartë për të investuar së bashku në stabilitet afatgjatë, zhvillim të qëndrueshëm për qytetarët tanë, si dhe në paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal”, u shpreh Hoxha.