Shkencëtari fitues i Çmimit Nobel, James Watson, i fotografuar me disa gra në shtëpinë e Epsteinit

Prania e pionierit të ADN-së, James Watson, në shtëpinë e Epstein në Nju Jork nuk tregon “asnjë sugjerim për keqbërje”, por duket se i përket viteve 2010, pasi financieri i diskredituar ishte liruar nga burgu për vepra penale seksuale ndaj të miturve

By
Shkencëtari fitues i Çmimit Nobel, James Watson, i fotografuar me disa gra në shtëpinë e Epsteinit / REUTERS

Imazhe nga dosje që lidhen me të ndjerin e dënuar për krime seksuale Jeffrey Epstein tregojnë shkencëtarin amerikan fitues të Çmimit Nobel, James Watson, një nga bashkëzbuluesit e strukturës së ADN-së, në shoqërinë e disa grave brenda shtëpisë së Epstein, sipas artikulli të The Telegraph.

Fotot e zbuluara nga e përditshmja britanike e paraqesin Watsonin, i cili vdiq vitin e kaluar në moshën 97-vjeçare, duke buzëqeshur përkrah tri grave të reja në një sallon pritjeje në rezidencën e Epsteinit në Nju Jork.

Sipas raportit të publikuar të martën, edhe pse nuk është e qartë kur janë bërë fotografitë, ato duket se datojnë nga mesi deri në fund të viteve 2010, vite pasi Epstein ishte liruar nga burgu për një vepër penale seksuale ndaj të miturve.

Njëra nga fotot tregon Watsonin me njërën nga gratë dhe me një dokument që ai kishte shkruar mbi kanceret dhe antioksidantët. Watson dhe bashkëzbuluesi i tij Francis H. C. Crick u bënë të famshëm dhe morën Çmimin Nobel për Mjekësi në vitin 1962 për zbulimin e strukturës dyhelikse të ADN-së, molekulës që bart informacionin gjenetik dhe formon bazën e kromozomeve.

Pretendimet e tij kontroverse që lidhnin racën me inteligjencën e izoluan nga komuniteti shkencor, ndërsa titujt e tij nderi iu hoqën në vitin 2019.

Megjithatë, Epstein duket se i ka mbështetur pikëpamjet e diskredituara gjerësisht të Watsonit. Në një shkëmbim emailesh të vitit 2016 me akademikun amerikan Noam Chomsky, financieri pretendonte pa bazë se “hendeku i rezultateve të testeve mes afrikano-amerikanëve është i dokumentuar mirë”.

“James Watson pati disa nga pikëpamjet e tij private të bëra publike dhe, për këtë arsye, u përjashtua nga shoqëria. Ai më tha se pas një fjalie u bë një ‘jo-njerëzor’. Përmirësimi i gjërave mund të kërkojë pranimin e disa fakteve të pakëndshme”, vazhdonte emaili.

Asnjë shenjë për keqbërje

Duke vënë në dukje se nuk ka “asnjë sugjerim për keqbërje” nga ana e Watsonit në shtëpinë e Epsteinit në Nju Jork, The Telegraph theksoi se fotografitë nxjerrin në pah përpjekjet e Epsteinit për të kultivuar marrëdhënie të ngushta me liderë në fusha si shkenca, biznesi dhe politika.

Dosjet tregojnë se Epstein ka shkëmbyer dhjetëra emaile për Watsonin me bashkëpunëtorë, shumë prej të cilave diskutonin takime për mëngjes ose darkë me shkencëtarin.

Në një email, Epstein duket se u kërkon miqve të tij të përgatisin pyetje për Watson-in mbi gjenetikën përpara takimeve.

Epstein gjithashtu bleu autobiografinë e Watsonit të vitit 2002, Genes, Girls, and Gamow: After the Double Helix, në vitin 2014, sipas raportit.

Një email drejtuar Epstein-it nga asistenti i Watsonit në shkurt 2007 thoshte: “Dr. Jim Watson ju ka dërguar disa materiale përmes FedEx. I kam vendosur (ato) mbi tavolinën tuaj të ngrënies.”

Nga mogulët e Silicon Valley te financierët e Wall Street dhe personalitete të huaja që kanë vizituar ShBA-në, një listë e gjatë burrash të fuqishëm ka dalë në pah në arkivin e gjerë të dokumenteve që US Justice Department ka publikuar si pjesë e hetimeve ndaj Jeffrey Epsteinit.