Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka caktuar datën 6 gusht 2026 për mbajtjen e seancës konstituive të Legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës.
Seanca do të mbahet më 6 gusht nga ora 10:00, vetëm një ditë para ditës së fundit të afatit kushtetues për mbajtjen e saj e cila është 7 gushti 2026.
Në një konferencë për media nga Presidenca, Haxhiu theksoi se meqë afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit fillojnë të rrjedhin vetëm pas konstituimit të Kuvendit, ka vendosur që të mos e thërras me nguti seancën konstitutive, por të shfrytëzojë afatin që lejon Kushtetuta për t’ju krijuar partive politike hapësirën e nevojshme për dialog.
"Deri atëherë mbetet detyrim politik dhe institucional i subjekteve parlamentare që të vazhdojnë dialogun. Dialogun ndërmjet tyre askush nuk duhet ta shoh si një shenj dobësie por si dëshmi e përgjegjësisë demokratike. Në një demokraci parlamentare përgjegjësia për ndërtimin e institucioneve nuk është ekskluzivitet i dikujt por u takon të gjithëve. Marrëveshja kërkon gatishmëri dhe seriozitet nga të gjitha palët", theksoi Haxhiu.
Ajo tha se ka mirëpritur ftesat për takime të kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ka ndjekur nga afër përpjekjet për të arritur një marrëveshje.
Haxhiu bëri thirrje që në ditët në vijim të intensifikohet komunikimi, të dëshmohet pjekuri politike sepse qytetarët dhe presin zgjidhje dhe nuk presin zgjedhje të reja.
Deputetët e rinj kanë kohë për ta konstituuar legjislaturën e 11-të të Kuvendit deri më 7 gusht ndërsa para kësaj date, zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë thënë se do ta mbajnë Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, ku do të votohet për shkarkimin ose jo të kryetarit Lumir Abdixhiku, i cili paralelisht iniciativës kundër tij, shprehu gatishmëri për marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje, për konstituimin e institucioneve të reja.
Kreu i LVV-së, Albin Kurti ka zhvilluar vetëm një takim me kreun e LDK-së pas certifikimit të rezultatit zgjedhor dhe pas takimit kishte deklaruar se janë pajtuar që t’i vazhdojnë takimet, por ato u ndërprenë pasi brenda LDK-së u ngritën zëra që kërkonin dorëheqjen e kreut të partisë, Lumir Abdixhikut, i cili tha se nuk mund të vazhdojë takimet me LVV-në derisa partia e tij, LDK-ja, po e shqyrton shkarkimin e tij.
Lëvizja Vetëvendosje mund ta bëjë e vetme qeverinë e re, mirëpo i duhet ndihma nga partitë tjera, për votimin e presidentit të ri. Për presidentin e ri sipas Kushtetutës duhen 80 vota në dy runde, apo në rundin e tretë duhet të jenë të pranishëm në sallë 80 deputetë ndërsa 61 prej tyre të votojnë një kandidat/e.























