Ministrat e Jashtëm të 18 vendeve ishullore të Paqësorit kërkuan sot unitet mes konkurrencës gjeopolitike në rritje në një forum të përbashkët në Fixhi.
Takimi vjetor i Forumit të Ishujve të Paqësorit u përqendrua në sigurinë rajonale, veprimin klimatik, integrimin ekonomik dhe bashkëpunimin strategjik.
Duke hapur takimin në kryeqytetin e Fixhit, Suva, ministri i Jashtëm i Ishujve Solomon, Rick Houenipwela tha se Paqësori përballet me konkurrencë gjeopolitike në rritje, por duhet të mbetet i bashkuar rreth prioriteteve të veta, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga forumi.
"Nuk ka patur kurrë interes më të madh ndërkombëtar në rajonin tonë", tha Houenipwela duke shtuar se "Partneritetet tona janë të rëndësishme dhe të vlerësuara. Por, axhenda jonë duhet të vazhdojë të konceptohet nga Paqësori, të formësohet nga Paqësori dhe të jetë në pronësi të Paqësorit".
Takimi pritet të finalizojë përgatitjet për Takimin e Liderëve të Forumit të Ishujve të Paqësorit në Palau muajin e ardhshëm, ku liderët do të diskutojnë paqen dhe sigurinë, ndryshimet klimatike, qeverisjen e oqeaneve, teknologjinë dhe integrimin rajonal.
Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, e cila po merr pjesë në takim, tha se të gjithë anëtarët e Forumit të Ishujve të Paqësorit tani janë të lidhur me kabllo telekomunikacioni nënujor për herë të parë, pas viteve të tëra investimesh rajonale.
"Për herë të parë, çdo anëtar i Forumit të Ishujve të Paqësorit tani ka qasje në infrastrukturën dixhitale të nevojshme për të marrë pjesë plotësisht në ekonominë moderne, me mbështetjen australiane", tha Wong në një deklaratë.





















