| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Xhamitë e Kosovës thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës: Votoni për “Koalicionin Shqiptar”
Imami vlerësoi se çdo votë për shqiptarët do të ndihmonte për të drejtat dhe prosperitetin e vet komunitetit shqiptar në Serbi.
Xhamitë e Kosovës thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës: Votoni për “Koalicionin Shqiptar”
Xhamitë e Kosovës thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës: Votoni për “Koalicionin Shqiptar” / َAA

Nga xhamitë e Kosovës u është bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Luginën e Preshevës, përkatësisht në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, që të votojnë për “Koalicionin Shqiptar” në zgjedhjet parlamentare të Serbisë të cilat mbahen këtë të diel, më 25 tetor.

Në Xhaminë e Fakultetit të Studimeve Islame (FSI) në Prishtinë, imami në fund të hutbes u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që kanë të drejtën e votës në Serbi, ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre më 25 tetor dhe të votojnë për “Koalicionin Shqiptar”, i cili garon me numrin 17 në zgjedhjet parlamentare atje.

Imami vlerësoi se çdo votë për shqiptarët do të ndihmonte për të drejtat dhe prosperitetin e vet komunitetit shqiptar në Serbi.

Gjatë këtij muaji, përfaqësuesit e tetë subjekteve politike shqiptare të cilat u bashkuan në një listë të përbashkët, u pritën në Prishtinë edhe nga presidentja e vendit, Justina Shiroka-Pula, si dhe nga kryeministri Albin Kurti.

Presidentja Shiroka Pula tha se rritja e përfaqësimit të shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë do të mundësonte që shkeljet sistematike të të drejtave të tyre nga ana e autoriteteve serbe të denoncohen më fuqishëm, ndërsa çështjet dhe kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës të marrin vëmendjen dhe përfaqësimin e duhur institucional.

Në legjislaturën e fundit të parlamentit serb, Shaip Kamberi ishte deputeti i vetëm shqiptar.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 202, në tre komunat me shumicë shqiptare në Serbi, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të njohura me një emër si Lugina e Preshevës, jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe në Serbi.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë