Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se Serbia ka të vendosura 48 baza ushtarake dhe të xhandarmërisë pranë kufirit me Kosovën, duke e krahasuar këtë situatë me veprimet e Rusisë para aneksimit të Ukrainës.
Ministri kosovar Maqedonci për mediumin “Talking With TVP World” ka theksuar se Serbia po e ekspozon Kosovën ndaj kërcënimeve duke pozicionuar kapacitetet e saj ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.
“E shohim se Serbia, përveç veprimeve hibride kundër vendit tonë, po e ekspozon Kosovën edhe ndaj kërcënimeve, duke i pozicionuar kapacitetet e saj ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën. Janë 48 baza ushtarake dhe të xhandarmërisë së forcave ushtarake dhe policore serbe të vendosura pranë vijës kufitare me Kosovën. Kjo na ngjan me atë që bëri Rusia para aneksimit të Ukrainës”, ka thënë Maqedonci.
Ministri kosovar ka thënë se Serbia gjithashtu po mbështet grupet kriminale në Kosovë, me qëllim që të destabilizojë vendin dhe të kërcënojë sigurinë e Ballkanit Perëndimor.
“Serbia po mbështet gjithashtu grupet kriminale në Kosovë, të cilat merren me kontrabandë dhe aktivitete të tjera kriminale, me qëllim që të destabilizojë Kosovën dhe, përmes destabilizimit të saj, të kërcënojë edhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që të paraqitet si një aktor i rëndësishëm dhe t'i ndjekë interesat e saj hegjemoniste ndaj të tjerëve”, ka thënë Maqedonci.
Komentet e ministrit Maqedonci vijnë vetëm pak ditë pasi zëvendëskryeministri serb, Ivica Daçiq, gjatë një tubimi zgjedhor në Serbi tha se "flamuri serb herët a vonë do të valëvitet mbi Prizren".






















