| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Zelenskyy: Ekipi negociator i Ukrainës do ta vizitojë ShBA-në në dy ditët e ardhshme për bisedime
Shpresoj që sinjalet e duhura do të përcillen”, tha presidenti ukrainas, duke i bërë thirrje ShBA-së që ta shtojë presionin ndaj Rusisë.
Zelenskyy: Ekipi negociator i Ukrainës do ta vizitojë ShBA-në në dy ditët e ardhshme për bisedime
Zelenskyy: Ekipi negociator i Ukrainës do ta vizitojë ShBA-në në dy ditët e ardhshme për bisedime/ AA

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të enjten se ekipi negociator i vendit të tij do të vizitojë ShBA-në “nesër ose pasnesër” për bisedime.

Duke folur me gazetarët në qytetin Pryluky, në rajonin verior ukrainas të Çernihivit, së bashku me Sekretarin e Jashtëm britanik Ed Miliband, Zelenskyy i bëri thirrje ShBA-së ta “rrisë presionin” ndaj Rusisë për ta detyruar Moskën të ulet në tryezën e negociatave.

Në këtë kuadër, ai përmendi masa si sanksionet ndaj Rusisë dhe ndihmën financiare për Ukrainën.

“Ekipi ynë është sot në Evropë dhe nesër ose pasnesër do të jetë në Shtetet e Bashkuara. Shpresoj që sinjalet e duhura do të përcillen”, tha Zelenskyy.

Vizita e Zelenskyyt në Pryluky u zhvillua pasi autoritetet lokale njoftuan më herët të enjten se 22 persona u vranë dhe më shumë se 50 të tjerë u plagosën në një sulm rus me raketa ndaj qytetit një ditë më parë.

“Mesazhi im ishte i qartë: Do të qëndrojmë me popullin e Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, shkroi Miliband në platformën sociale amerikane X pas vizitës në Pryluky së bashku me presidentin ukrainas.

Më vonë gjatë ditës, Miliband tha se takoi gjithashtu fëmijë dhe familje ukrainase të prekura nga lufta që vazhdon.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje për deklaratat e fundit të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, Zelenskyy argumentoi se nuk mund të negociohet me Rusinë për projekte të ardhshme ekonomike, ndërkohë që pretendohet se Ukraina ndodhet në një “situatë të vështirë politike ose në një qorrsokak diplomatik”.

“Ne nuk jemi në një qorrsokak diplomatik. Mbylljani të gjithë ekonominë e tij (presidentit rus Vladimir Putin). Mbylljani gojën Rusisë. Mos i ushqeni me shitjet tuaja. Thjesht vendosni sanksione ndaj armëve të tyre. Hapeni Starlinkun për ne – për Ukrainën”, citoi agjencia shtetërore e lajmeve Ukrinform të ketë thënë Zelenskyy.

Në një intervistë për të përditshmen greke Ekathimerini të mërkurën, pjesë të së cilës u publikuan të enjten në mëngjes, Rubio tha se lufta Rusi-Ukrainë aktualisht ndodhet në një “ngërç strategjik” dhe se “nuk duket të ketë perspektivë për një zgjidhje të negociuar”.