Në Norvegji është zbuluar një zonë gjuetie e vjetër 1.500-vjeçare

Ngrohja globale ka zbuluar një vend gjetjeje që për një kohë të gjatë ka qenë nën akull.

By
Në Norvegji është zbuluar një zonë gjuetie e vjetër 1.500-vjeçare / AA

Arkeologët e Muzeut Universitar të Bergenit kanë zbuluar në pllajën Aurlandsfjellet në Norvegji një strukturë për gjueti masive të drerëve, e cila daton rreth 1.500 vjet më parë, raportoi të hënën televizioni shtetëror norvegjez NRK.

Qindra trungje druri të gdhendur, që besohet të jenë mbetje të një zone të madhe gjuetie, janë gjetur brenda dhe rreth një zone të akullt në një lartësi prej 1.400 metrash mbi nivelin e detit.

Pjesa më e ruajtur e vendgjetjes përbëhet nga dy gardhe të ndërtuara me shtylla druri, të cilat ndoshta kanë drejtuar drerët drejt një hapësire të rrethuar me trungje masive, ku janë vrarë.

Ky zbulim mund të ofrojë njohuri të reja mbi mënyrën se si kanë jetuar dhe gjuajtur njerëzit në shekullin VI.

“Nuk ka ndonjë paralelë. Është diçka që nuk e kemi gjetur më parë. Gjendja e ruajtjes së tij është ndryshe nga gjithçka që kemi parë deri më sot,” tha studiuesi dhe arkeologu Leif Inge Astveit.

Rreth vendgjetjes janë gjetur edhe disa objekte të tjera të ruajtura mirë, si sende druri dhe brirë drerësh të egër, që mund të ndihmojnë për të kuptuar më mirë se si zhvillohej gjuetia.

Ende nuk është e sigurt se çfarë funksioni kishin këto objekte druri, por studiuesit besojnë se ishin mjete të përdorura në lidhje me gjuetinë.

“Ky zbulim hap interpretime dhe kuptime krejtësisht të reja mbi mënyrën se si këto struktura funksiononin në praktikë. Ai gjithashtu ofron një vështrim mbi rëndësinë më të gjerë shoqërore që gjuetia e drerëve mund të ketë pasur gjatë epokës së hershme të hekurit,” shtoi Astveit.

Ruajtja e vendgjetjes i atribuohet periudhës së ftohtë që e ka mbuluar me akull për më shumë se 1.500 vjet. Me ngrohjen e klimës, shkrirja e akullit tani po e zbulon këtë zonë.

Duke marrë parasysh se pritet që akullnajat të vazhdojnë të zhduken gjatë këtij shekulli, shkencëtarët besojnë se në vitet e ardhshme mund të zbulohen edhe më shumë artefakte prehistorike.

“Është emocionuese t'i ndjekim këto zbulime që po dalin në dritë – për shembull, ato që lidhen me udhëtimet dhe gjuetinë. Por, kjo është gjithashtu një shenjë se klima po ndryshon dhe se po humbim shumë nga sipërfaqet tona të akullta dhe akullnajat,” tha për televizionin shtetëror studiuesja e akullnajave Liss Marie Andreassen.