Arbitri i finales së Kupës së Botës, Slavko Vinçiç, është tërhequr, vetëm një javë pas përfundimit të turneut në ShBA.
Slloveni 46-vjeçar u përball me kritika të shumta, pasi lejoi Argjentinën të zhvillonte një lojë tepër të ashpër gjatë humbjes 1-0 ndaj Spanjës pas kohës shtesë në finale.
Vinçiç përjashtoi me karton të kuq mesfushorin e Argjentinës dhe Chelsea-t, Enzo Fernandez, në minutat shtesë të kohës së rregullt.
“Një javë pas finales së Kupës së Botës në ShBA, Sllavko Vinçiq përfundoi zyrtarisht karrierën e tij historike si arbitër në majat e futbollit botëror”, tha Federata Sllovene e Futbollit në një deklaratë.
Pavarësisht kritikave lidhur me finalen, Vinçiç u shpall arbitri më i mirë i turneut si nga Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS), ashtu edhe nga Shoqata Italiane e Gjyqtarëve (AIA).
AIA-ja ndan çdo dy vjet Çmimin “Giulio Campanati” për gjyqtarin më të mirë në çdo Kupë Bote ose Kampionat Evropian.
Anëtar i grupit elitar të arbitërve të UEFA-s që nga viti 2019, Vinçiç gjykoi në Euro 2020 dhe drejtoi gjysmëfinalen e Kampionatit Evropian 2024 mes Spanjës dhe Italisë.
Ai drejtoi katër ndeshje gjatë Kupës së Botës të kësaj vere, përfshirë ndeshjen hapëse të Brazilit në Grupin C kundër Marokut dhe fitoren 2-0 të Meksikës ndaj Ekuadorit në fazën e 1/8-ave.
Gjatë kësaj të fundit, ai përjashtoi mbrojtësin e Ekuadorit dhe Arsenalit, Piero Hincapie, pasi mbuloi gojën ndërsa fliste me një lojtar meksikan, në përputhje me një rregull të ri të vendosur para turneut.
Në nivel klubesh, Vinçiç drejtoi finalen e Ligës së Kampionëve të UEFA-s në vitin 2024, në të cilën Real Madridi mposhti Borussia Dortmundin 2-0 dhe fitoi titullin e 15-të rekord në Evropë.
Ai drejtoi gjithashtu finalen e Ligës së Evropës të vitit 2022 mes Eintracht Frankfurtit dhe Rangersit, ndërsa ishte arbitëri i katërt kur Villarreali mposhti Manchester Unitedin me penallti në finalen e vitit 2021.
Në vitin 2025, Vinçiç u bë gjyqtari i parë i huaj që drejtoi një ndeshje të Superligës turke, mes rivalëve të Istanbulit, Galatasaray dhe Fenerbahçe, pasi të dy klubet kërkuan një arbitër të huaj.




















