| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Në Ankara kremtohet Dita e Pavarësisë së Kosovës
Në pritjen e organizuar në një hotel në kryeqytetin e Türkiyes nën mikpritjen e Ambasadorit të Kosovës në Ankara, Agon Vrenezi, morën pjesë ministri i Shëndetësisë, Kemal Memişoğlu, ambasadorë të akredituar në Ankara si dhe shumë të ftuar.
Në Ankara kremtohet Dita e Pavarësisë së Kosovës
Në Ankara kremtohet Dita e Pavarësisë së Kosovës / AA
14 orë më parë

Dita e Pavarësisë së Kosovës u kremtua me një pritje të organizuar në Ankara.

Në pritjen e organizuar në një hotel në kryeqytetin e Türkiyes nën mikpritjen e Ambasadorit të Kosovës në Ankara, Agon Vrenezi, morën pjesë ministri i Shëndetësisë, Kemal Memişoğlu, ambasadorë të akredituar në Ankara si dhe shumë të ftuar.

Pritja filloi me intonimin e himneve të dy vendeve.

Vrenezi, në fjalën e tij, theksoi se po festojnë 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke shprehur kënaqësinë për mikpritjen e të ftuarve.

Duke dhënë informacione lidhur me procesin që çoi në pavarësinë e vendit të tij, Vrenezi tha: "Kosova është fuqishëm e përkushtuar ndaj synimeve për anëtarësim në NATO dhe për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian. Këto synime nuk janë vetëm zgjedhje politike, por orientimi natyror i Kosovës dhe vizioni i saj i qartë për të ardhmen".

Vrenezi tërhoqi vëmendjen mbi marrëdhëniet e mira ndërmjet Türkiyes dhe Kosovës, duke theksuar se Ankaraja dhe Prishtina kanë një miqësi të fortë dhe të qëndrueshme.

"Türkiye ka qenë një mbështetëse e rëndësishme dhe e vendosur në përkrahjen e pavarësisë sonë, në procesin e ndërtimit të shtetit dhe në njohjen tonë në arenën ndërkombëtare. Partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Türkiyes ka një vend të veçantë në këtë proces. Lidhjet ndërmjet popujve tanë janë forcuar jo vetëm nga historia, por edhe nga marrëdhënie të forta njerëzore", tha Vrenezi, duke falënderuar diasporën e Kosovës në Türkiye.

Vrenezi theksoi se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes ndërmjet dy vendeve është forcuar ndjeshëm vitet e fundit, duke thënë: "Türkiye është një nga partnerët tanë më të rëndësishëm në sektorin e mbrojtjes dhe ka dhënë kontribute të vlefshme në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në përputhje me standardet e NATO-s".

Duke folur për marrëdhëniet ekonomike Türkiye-Kosovë, Vrenezi tha se Türkiye është bërë një nga partnerët e rëndësishëm ekonomikë të vendit të tij.

"Në emër të Kosovës, i shprehim falënderimet tona të sinqerta Türkiyes dhe presidentit të nderuar Recep Tayyip Erdoğan për mbështetjen e vazhdueshme në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe konsolidimin e vendit të saj në komunitetin global", shtoi ai.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë