Përfaqësueset kombëtare të vendeve të rajonit kryesisht kanë rënë në listën më të re të rangimit që Federata Botërore e Futbollit (FIFA) publikoi të premten.
Kroacia ka rënë për dy vende dhe tani është në pozitën e 11-të, ndërsa fqinji i saj, Sllovenia, është në vendin e 51-të, pasi gjithashtu ka rënë për një pozitë.
Përparimin më të madh e ka shënuar Shqipëria, e cila u ngjit në vendin e 61-të, duke avancuar për pesë pozita pas fitores ndaj Serbisë në ndeshjen kualifikuese në Leskovc.
Maqedonia e Veriut, pas rënies për dy pozita, tani ndodhet në vendin e 65-të, ndërsa Bosnjë e Hercegovina në vendin e 75-të, gjithashtu pas rënies për dy pozita në krahasim me listën e mëparshme.
Përfaqësuesja e Malit të Zi është në vendin e 81-të, pasi ka rënë për një pozitë, ndërsa përfaqësuesja e Kosovës është ngjitur në vendin e 84-të, duke përmirësuar renditjen për shtatë pozita pas barazimit në udhëtim kundër Suedisë në kualifikimet për Botëror.
Në krye të listës mbetet Spanja, ndërsa Argjentina dhe Franca janë ndërruar: kampioni i botës tani është i dyti, ndërsa francezët, pas barazimit kundër Islandës, janë të tretët. Anglia dhe Portugalia kanë mbetur në vendet e katërt dhe të pestë, Holanda tani është e gjashta përpara Brazilit që ka rënë për një pozitë. Belgjika është e teta, Italia e nënta dhe Gjermania e dhjeta.






















