Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, e ka cilësuar dënimin e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si “gjykim të tmerrshëm” për Kosovën, duke thënë se vendimi do të ketë pasoja të mëdha për shtetin dhe narracionin e Kosovës.
“Gjykim i tmerrshëm për Kosovën, për luftën tonë çlirimtare. Kosova e ka përjetuar vetë luftën, e dimë çka është lufta e UÇK-së dhe ne e dimë që nuk ka pasur kurrfarë mekanizmi kriminal për të cenuar ndonjë popullatë. Është vendim i trishtueshëm, i padrejtë, i pamerituar”, ka thënë Konjufca pas daljes nga salla e gjyqit në Hagë.
Ai ka thënë se vendimi do të jetë “dëm shumë i madh” për Kosovën dhe narracionin e saj.
“Vërtet është diçka për të cilën do të jetë dëm shumë i madh, edhe për narracionin tonë, edhe për shtetin e Kosovës”, ka deklaruar kryediplomati kosovar.
- Haxhiu: Aktgjykimet nuk mund ta rishkruajnë historinë
Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar aktgjykimin dhe dënimet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit si “goditje të rëndë” për familjet e tyre dhe “lajm thellësisht tronditës” për Kosovën.
Ajo shprehu solidaritet me familjet e të dënuarve, duke theksuar se ato prej vitesh e kanë mbajtur barrën e mungesës, pritjes dhe pasigurisë. “Atyre ua përcjell nga Kosova një porosi, qëndroni të fortë, Kosova është me ju. Fjala e fundit juridike nuk është thënë. E drejta e ankimit është pjesë e procesit dhe duhet të ushtrohet plotësisht”, tha Haxhiu.
Ajo gjithashtu mbrojti karakterin çlirimtar të luftës së UÇK-së, duke thënë se ajo “lindi përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës”. Sipas Haxhiut, dënimet e sotme nuk duhet të përdoren për të relativizuar krimet e kryera nga regjimi i Serbisë apo për të krijuar një narrativë të rreme për historinë e Kosovës.
“Këtë qartësi e presim edhe nga miqtë dhe aleatët tanë”, tha ajo.
Haxhiu u bëri thirrje qytetarëve për qetësi, dinjitet dhe bashkim, duke theksuar se “dhimbja e kësaj dite nuk duhet të na ndajë”. “Sepse aktgjykimet nuk mund ta gjykojnë historinë e një populli as nuk mund ta rishkruajnë atë”, tha Haxhiu.
Gashi: Ish-udhëheqësit e UÇK-së mbeten çlirimtarë të Kosovës
Ndaj vendimit të Gjykatës Speciale ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili tha se asnjë verdikt nuk mund ta mohojë faktin se Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi i përkasin një kapitulli të historisë së Kosovës.
Gashi tha se katër ish-udhëheqësit e UÇK-së morën mbi vete përgjegjësinë historike për të luftuar për lirinë e Kosovës dhe se, për popullin shqiptar, ata janë dhe mbeten çlirimtarë të Kosovës. Ai theksoi se aktgjykimi i sotëm është i shkallës së parë dhe se beteja për drejtësi vazhdon.
Ai bëri thirrje për qëndrim të përbashkët, me dinjitet dhe qetësi, duke thënë se Kosova e lirë ishte beteja më e vështirë dhe se brezi që luftoi për të e fitoi.
Kundër aktgjykimit ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, i cili në rrjetet sociale ka shpërndarë një fotografi me mbishkrimin “Marre”.
Ndryshe, aktgjykimi i shpallur sot nga Dhomat e Specializuar në Hagë dënoi ish krerët e UÇK-së me gjithsej 81 vjet burgim. Ish-presidenti Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi morën nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli 18 vjet dhe Rexhep Selimi 13 vjet burgim.






















