Shefi i Organizatës Kombëtare të Inteligjencës së Türkiyes (MIT), Ibrahim Kalin, vizitoi Pakistanin pas udhëtimit të tij në Afganistan, duke zhvilluar bisedime me zyrtarë të lartë pakistanezë për lidhjet dypalëshe, sigurinë rajonale dhe tensionet e vazhdueshme në Lindjen e Mesme, thanë sot burime turke të sigurisë.
Gjatë vizitës së tij në kryeqytetin Islamabad, Kalin u takua me shefin e ushtrisë së Pakistanit, Field Marshall Asim Munir dhe shefin e Inteligjencës Ndër-shërbimesh Asim Malik dhe u prit gjithashtu nga kryeministri Shehbaz Sharif. Bisedimet trajtuan gjendjen aktuale të marrëdhënieve Türkiye-Pakistan dhe mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm si dhe zhvillimet rajonale dhe globale.
Zyrtarët diskutuan mbi peizazhin e sigurisë të paraqitur në Lindjen e Mesme pas fillimit të luftës ShBA-Izrael me Iranin, tensionet në rritje rajonale dhe pasojat politike, të sigurisë dhe ekonomike të konfliktit për vendet e rajonit. Ata vlerësuan gjithashtu rrezikun e përhapjes së konflikteve në vende dhe rajone të tjera, sipas burimeve.
Tensionet dhe zhvillimet e fundit mes Jemenit dhe Arabisë Saudite si dhe rreziqet që ato paraqesin për stabilitetin rajonal, ishin gjithashtu ndër çështjet e diskutuara. Bisedimet theksuan rëndësinë e Marrëveshjes së Përbashkët të Mbrojtjes së Mekës në sigurimin e bazës së përbashkët midis palëve si pjesë e përpjekjeve për të rivendosur stabilitetin rajonal.
Zyrtarët theksuan rolin e Türkiye dhe Pakistanit në uljen e tensioneve dhe mbajtjen e hapur të kanaleve diplomatike. Ankaraja tha se do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje për të ndihmuar në zgjidhjen e tensioneve midis Afganistanit dhe Pakistanit përmes dialogut, siç ka bërë në të kaluarën.
Të dyja palët ranë dakord të forcojnë më tej bashkëpunimin ekzistues të nivelit të lartë në fushat e sigurisë dhe të inteligjencës. Türkiye përsëriti mbështetjen e saj për Pakistanin në luftën e tij kundër terrorizmit dhe nënvizoi se do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për ta forcuar kapacitetin kundër terrorizmit të vendit.
Vizita e shefit të MIT-it, Kalin, në Pakistan erdhi pasi ai zhvilloi bisedime në Kabul dhe Kandahar me zyrtarë të lartë afganë.



























