Rusia akuzon Ukrainën për sulm mbi stacionin e "TurkStream", furnizues me gaz i Türkiyes dhe Evropës

"Natën e 12 marsit të këtij viti, regjimi i Kievit sulmoi me dronë sulmues me qëllim ndalimin e furnizimeve me gaz për konsumatorët evropianë", tha Ministria ruse e Mbrojtjes.

By
Rusia akuzon Ukrainën për sulm ndaj stacionit të gazit "TurkStream" që furnizon Türkiyen dhe Evropën / AA

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë akuzoi të mërkurën Ukrainën për sulm ndaj stacionit të pompimit "Russkya", i cili përdoret për transportimin e gazit në Türkiye dhe Evropë, duke pretenduar se Kievi po përpiqet të ndërpresë furnizimet e burimeve ruse të energjisë në Evropë.

Në një deklaratë, Ministria tha se Ukraina po synon qëllimisht infrastrukturën e përdorur për transportimin e naftës dhe gazit në Evropë. "Natën e 12 marsit të këtij viti, regjimi i Kievit kreu sulm duke përdorur dronë sulmues me krahë fiks në stacionin e kompresorëve «Russkaya» në fshatin Gaikodzor, në rajonin e Krasnodarit, me qëllim ndalimin e furnizimeve me gaz për konsumatorët evropianë", tha ajo.

Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, 10 dronë u rrëzuan mbi stacionin e kompresorëve të gazit që siguron furnizimin me gaz nëpërmjet tubacionit "Rrjedha Turke" (TurkStream). Duke komentuar sulmin ndaj stacionit të kompresorëve “Russkaya”, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e denoncoi atë si "të pamatur".

"Mbrëmë pati përpjekje për të nisur përsëri sulme me dronë në stacionin e kompresorëve rus. Ky është stacion bregdetar që siguron pompimin e gazit nëpërmjet Rrjedhës së Jugut. Ky është një tjetër sulm ndaj një objekti ndërkombëtar, një linjë e një tubacioni ndërkombëtar nafte që siguron sigurinë energjetike të Türkiyes dhe një numri vendesh të tjera. Veprime absolutisht të pamatura të regjimit të Kievit", tha ai në konferencën për mediat në Moskë.

Ndërkohë, një tjetër sulm ukrainas ndaj infrastrukturës energjetike të Rusisë ishte i suksesshëm. “Një depo nafte në Tihoreck, në rajonin e Krasnodarit, u përfshi nga flakët pas një sulmi me dronë”, thanë autoritetet rajonale në platformën “Telegram”, duke shtuar se zjarri përfshiu 3.800 metra katrorë.

Objekti dhe infrastruktura e tij përdoren për të transportuar naftë dhe gaz në qytetin Novorosijskut dhe prej andej në Evropë. Ukraina mori përgjegjësinë për sulmin ndaj depos së naftës në Tihoreck. Mediat shtetërore ukrainase, duke cituar burime në Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës, konfirmuan se ata ishin pas sulmit.

Më 27 janar, Ukraina ndaloi furnizimet e burimeve energjetike nëpërmjet tubacionit "Druzhba" në Hungari dhe Sllovaki. Në përgjigje, Budapesti bllokoi një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën.

Hungaria aktualisht vazhdon të marrë gaz rus nëpërmjet tubacionit Rrjedha Turke dhe ta dërgojë atë në Sllovaki.

Incidenti vjen në mes të bllokadës që Irani zbaton ndaj Ngushticës së Hormuzit, vijës ujore kryesore që transporton rreth 20 për qind të naftës globale nga Gjiri Persik, gjatë 10 ditëve të fundit pas sulmeve të ShBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.