Spiropali: Korridori VIII është aset strategjik për ndërlidhjen dhe sigurinë evropiane
Në Shqipëri po mbahet sot Ministeriali i Korridorit 8, me pjesëmarrjen e delegacioneve nga ministritë e jashtme dhe institucione të tjera nga disa vende, përfshirë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Italia, Rumania dhe Bullgaria.
Në Shqipëri po mbahet sot Ministeriali i Korridorit VIII, me fokus diskutimet mbi avancimin e bashkëpunimit në fushën e ndërlidhjes, qëndrueshmërisë dhe integrimit rajonal.
Ministeriali organizohet nën kujdesin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë me pjesëmarrjen e delegacioneve nga ministritë e jashtme dhe institucione të tjera nga disa vende, përfshirë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Italia, Rumania dhe Bullgaria.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali tha në hapje të ministerialit se Korridori 8 është aset strategjik për ndërlidhjen dhe sigurinë evropiane dhe se Shqipëria është një nga nyjet më të besueshme të këtij projekti.
Ajo shtoi se Korridori 8 nuk është thjesht një investim, por sipas saj është një domosdoshmëri strategjike.
"Shqipëria nuk po pret që Korridori VIII të ndodhë. Ne tashmë po e ndërtojmë atë. Në të gjithë vendin, korridori është në qendër të strategjisë sonë kombëtare të transportit. Ne kemi një portofol projektesh prioritare me vlerë mbi dy miliardë euro dhe shumica e tyre janë tashmë të gatshme për zbatim", tha ajo.
Spiropali theksoi se Korridori VIII kontribuon jo vetëm në tregti dhe rritje ekonomike, por edhe në mbrojtjen kolektive, qëndrueshmërinë dhe stabilitetin në hapësirën më të gjerë të Detit të Zi dhe Mesdheut.
"Korridori 8 është i vetmi aks i vërtetë lindje–perëndim në Evropën Juglindore. Ai lidh Adriatikun me Detin e Zi përmes vendeve tona, të gjitha anëtare të NATO-s. Kjo i jep këtij korridori një dimension të dytë, shumë praktik. Ai nuk është vetëm një projekt ekonomik dhe integrues. Ai është edhe një korridor ndërveprueshmërie", tha Spiropali.
Mucunksi: Ne e njohim vlerën që Korridori 8 ka për lëvizshmërinë ushtarake dhe për NATO-n
Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunksi tha se vendet pjesëmarrëse kanë rënë dakord se Korridori 8 është një lidhje shumë e rëndësishme midis Adriatikut, Jonit dhe Detit të Zi.
Ai shtoi se Korridori 8 është një korridor që mund të përshpejtojë integrimin e Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evropian.
"Ne e njohim vlerën që ai ka për lëvizshmërinë ushtarake dhe për NATO-n dhe po kështu edhe për kontekstin e BE-së. Maqedonia e Veriut është në zemër të këtij korridori. Korridori VIII mund të shndërrohet në një aks jo vetëm ndërlidhshmërie transporti, por gjithashtu edhe lëvizshmërie energjetike dhe rezistence. Mund të forcojmë lidhjet energjetike dhe të mbështesim stabilitetin e rrjeteve", tha ai.
Tajani: Për lëvizshmërinë e NATO-s ky korridor do të jetë i rëndësishëm
Zëvendëskryeministri dhe ministri për Punët e Jashtme i Italisë, Antonio Tajani u shpreh se Korridori 8 është thelbësor për tregtinë. Ai shtoi sot më shumë se kurrë përfundimi i Korridorit VIII është një objektiv kyç sigurie dhe sipas tij për lëvizshmërinë e NATO-s ky korridor do të jetë i rëndësishëm.
"Edhe për Italinë Korridori VIII nuk është vetëm një zgjedhje teknike dhe infrastrukturore, është një zgjedhje politike, sepse kjo është pjesë e strategjisë tonë për ribashkimin e Ballkanit me historinë evropiane. Është një përparësi strategjike për qeverinë italiane dhe për mua personalisht", tha Tajani.
Zëvendësministrit i Jashtëm i Bullgarisë, Nikolay Pavlov tha se Korridori 8 duhet të vlerësohet në aspektin e rëndësisë së vet politike dhe strategjike, të ndikimit rajonal ekonomik dhe për mbrojtjen.
Ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Octavian Serban u shpreh në hapje të ministerialit se aspekti strategjik i bën bashkë vendet pjesëmarrëse në këtë korridor.
Takimi synon të thellojë bashkëpunimin ndërqeveritar për përshpejtimin e zhvillimit të Korridorit 8, sipas autoriteteve, si një arterie strategjike transporti, zhvillimi ekonomik dhe sigurie.
Në kuadër të ministerialit, do të zhvillohet edhe forumi ekonomik për Korridorin VIII me temë: "Nga lidhja strategjike drejt rritjes ekonomike rajonale: Potenciali ekonomik i Korridorit VIII".