Firmoset “Deklarata e Antalias” mes vendeve anëtare të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit

Me miratimin unanim të rregullores, Forumi i Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit fitoi status zyrtar.

By
Firmoset “Deklarata e Antalias” mes vendeve anëtare të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit / AA

Në Konferencën e 3-të të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, e zhvilluar në Antalia nën mikpritjen e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Türkiyes, u nënshkrua “Deklarata e Antalias” mes vendeve anëtare të forumit.

Ngjarja u mbajt në Qendrën e Trajnimeve dhe Shërbimeve Sociale të Fondacionit për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë, me pjesëmarrjen e kryetarëve dhe anëtarëve të gjykatave kushtetuese ose të larta nga Shqipëria, Bullgaria, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, si dhe vendet me status vëzhgues, përfshirë Bosnjë e Hercegovinën, Kroacinë dhe Rumaninë. Të pranishëm ishin gjithashtu përfaqësues nga Azerbajxhani, Republika Turke e Qipros Veriore (RTQV), Moldavia dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GjEDNj).

Pas sesioneve të konferencës, u mbajt mbledhja e Këshillit të Anëtarëve të Forumit, ku u diskutuan struktura, objektivat dhe aktivitetet e forumit, si dhe presidenca e radhës dhe anëtarësimet.

Në këtë takim u shqyrtua rregullorja e re, e cila përcakton bazën ligjore të forumit dhe strukturën e tij institucionale.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Türkiyes, Kadir Özkaya, deklaroi se dokumenti është përgatitur duke u bazuar në modele të suksesshme të bashkëpunimeve rajonale.

“Në këtë fazë, është e rëndësishme që Forumi të kalojë nga një strukturë joformale në një mekanizëm konkret vendimmarrës. Tani që po hyjmë në vitin e tretë të këtij bashkëpunimi, është e qartë se ai ka nevojë për një strukturë të tillë funksionale”, tha Özkaya.

Pas diskutimeve, rregullorja u miratua unanimisht, duke i dhënë Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit status zyrtar.

Deklarata e Antalias u nënshkrua nga Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Türkiyes,  Kadir Özkaya, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Bullgarisë, Pavlina Panova, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Nexhmi Rexhepi, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi, Snezhana Armenko dhe anëtarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Sonila Bejtja.

Në përfundim të takimit u vendos që Konferenca e 4-të e Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit të mbahet vitin e ardhshëm në Maqedoninë e Veriut, nën mikpritjen e Gjykatës Kushtetuese të këtij vendi.