| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Türkiye ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç
Rregullat e reja ndalojnë të miturit nën 15 vjeç të regjistrohen në platformat sociale dhe kërkojnë sisteme efektive për verifikimin e moshës.
Türkiye ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç
Türkiye ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç / AA

Türkiye ka prezantuar rregullore të reja për rrjetet sociale, me synim forcimin e mbrojtjes për fëmijët dhe përdoruesit e rinj në internet.

Duke iu bashkuar vendeve si Australia dhe Franca që kanë miratuar masa të ngjashme, rregulloret fokusohen në rritjen e sigurisë, përgjegjshmërisë së platformave dhe ndërhyrjen më të shpejtë ndaj përmbajtjeve të dëmshme.

Sipas rregullave të reja, të miturit nën 15 vjeç nuk do të mund të regjistrohen në rrjetet sociale, ndërsa kompanitë do të jenë të detyruara të zbatojnë sisteme efektive për verifikimin e moshës, për të parandaluar ofrimin e shërbimeve të tilla.

Kompanitë e rrjeteve sciale do të duhet gjithashtu të ofrojnë shërbime të diferencuara dhe të përshtatura sipas moshës për përdoruesit mbi 15 vjeç.

Mekanizëm zbatimi hap pas hapi

Rregulloret sjellin mekanizma më të fortë të kontrollit prindëror, duke kërkuar mjete për menaxhimin e cilësimeve të llogarisë dhe kufizimin e kohës së përdorimit.

Kompanitë e rrjeteve sociale do të jenë të detyruara të marrin masa për të parandaluar reklamat mashtruese dhe për të reduktuar rreziqet online.

Në raste urgjente që lidhen me sigurinë kombëtare, platformat e mëdha duhet të zbatojnë urdhrat për heqjen e përmbajtjes brenda një ore.

Detyrime më të rrepta do të zbatohen për platformat me më shumë se 10 milionë përdorues ditorë në Türkiye.

Për të parandaluar shkeljet e përsëritura, platformat do të duhet të përdorin inteligjencën artificiale për të siguruar që përmbajtjet e paligjshme të hequra më parë të mos ripublikohen.

Rregulloret vendosin një mekanizëm zbatimi gradual.

Nëse detyrimet nuk përmbushen, do të ndalohet reklamimi i ri në platformë.

Nëse shkeljet vazhdojnë, autoritetet mund të kërkojnë miratim gjyqësor për të kufizuar gjerësinë e bandës së platformës me 50 për qind dhe më pas deri në 90 për qind.

Rregullat përfshijnë edhe platformat e lojërave, duke ndaluar lojërat që nuk janë të klasifikuara sipas moshës.

Platformat e lojërave me bazë jashtë vendit dhe me më shumë se 100 mijë përdorues ditorë do të duhet të caktojnë një përfaqësues ligjor në vend.

Rregullorja synon të krijojë një mjedis digjital më të sigurt dhe më transparent, ndërsa do të hyjë në fuqi 6 muaj pas publikimit.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë