Shqipëria dhe Kosova kanë nënshkruar marrëveshjen për mobilitetin në punë, që sipas autoriteteve ka në fokus punësimin dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor.
Marrëveshja është nënshkruar në Tiranë nga ministrja e Ekonomisë dhe e Inovacionit e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, dhe ministri kosovar për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.
Sipas një njoftimi nga Ministrja e Ekonomisë dhe e Inovacionit e Shqipërisë, marrëveshja shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional në fushën e punësimit dhe zhvillimit të kapitalit njerëzor.
"Marrëveshja synon të krijojë një kuadër të përbashkët bashkëpunimi për lehtësimin e punësimit të qytetarëve në të dyja vendet, rritjen e mobilitetit të fuqisë punëtore, shkëmbimin e informacionit dhe praktikave më të mira, si dhe forcimin e kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse për punësimin, aftësimin dhe formimin profesional", thuhet në njoftim.
Gjithashtu, theksohet se në kuadër të nënshkrimit të marrëveshjes, delegacionet zhvilluan një takim dypalësh.
Ndërkohë, në një reagim në rrjetet sociale, ministrja Ibrahimaj ka theksuar se kjo marrëveshje e bën më të lehtë për qytetarët e të dy vendeve të punojnë përtej kufirit, duke krijuar sipas saj më shumë mundësi për punësim, zhvillim profesional dhe lëvizje në tregun e punës.





















