Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se bashkë me kolegët e Qeverisë do të bëjnë gjithçfarë që dinë dhe munden në mënyrë që Apeli të korrigjojë vendimin dënues ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët u dënuan me 81 vjet burgim total më 16 shtator.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mërkurën, kryeministri Kurti përshëndeti deklaratën e përbashkët kundër vendimit të Gjykatës Speciale të miratuar me 99 vota pro në Kuvendin e Kosovës, teksa thirri në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet subjekteve politike parlamentare për të bashkërenduar veprimet me ekipet mbrojtëse dhe ekspertë të fushës në mënyrë që sipas tij veprimet e politikës të mos përdoreshin në dëm të gjykimit të katër ish-krerëve të UÇK-së.
“Do të bëjmë gjithçfarë dimë e mundemi, bashkë me kolegët nga Qeveria dhe jo vetëm, për korrigjimin e këtij aktgjykimi kur të vijë apeli e drejtë tij. Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si përgjigje ndaj represionit, vrasjeve e masakrave, dëbimeve masive, spastrimit etnik e gjenocidit nga Serbia dhe ajo ishte bartëse e luftës së drejtë të popullit”, theksoi Kurti.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në rrethanat e reja pas vendimit dënues të Gjykata Speciale, shteti më së paku do të duhej të kishte mbi qafë kërcënimin e zgjedhjeve të reja, duke theksuar se tani është nevoja për stabilitet dhe përgatitje për mbrojtje juridike e diplomatike.
Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u shpallën fajtor dhe u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërkaq Kadri Veseli me 18 vjet burgim dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim nga Gjykata Speciale.
Ai tha se me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese e vë vendin përpara një situate urgjente për veprim, pasi janë vetëm edhe gjashtë ditë përapara për të zgjedhur një president të ri, në mënyrë që të evitohen zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme.
“Kosova nuk e ka luksin të humbasë kohë në kriza të panevojshme. Duhet ta kuptojmë qartë, nuk kemi nevojë të shkojmë pandërprerë dhe pa numër herë në zgjedhje vetëm për t’u kthyer në pikën e njëjtë. Me këtë Deklaratë, kemi hapur kapitull të ri të bashkëveprimit e bashkërendimit të përbashkët. Por, secili proces zgjedhor është kontekst i ri mbi të cilin duhet të reflektojmë, kësaj here nuk do të prodhohej rezultat ndryshe, por kemi rrethana të reja që kërkojnë më shumë përgjegjësi shtetërore”, theksoi Kurti.
Ai tha se Kosovës më shumë se kurrë i duhet stabiliteti institucional, ashtu që të marrë përgjegjësinë për detyrat që i ka përpara, strategjinë e përbashkët shtetërore dhe mbrojtjen juridike e diplomatike.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese përcaktoi se Kuvendi i Kosovës duhet ta zgjedhë presidentin e ri të vendit deri më 6 tetor, ose vendi do të shkojë automatikisht në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.























