Kurti shpall “fitore historike” në zgjedhjet e parakohshme parlamentare
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, shpalli “fitore historike” të Lëvizjes Vetëvendosje pas mbylljes së votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ai tha se pas certifikimit të rezultateve duhet të formohen Kuvendi dhe qeveria e re, si dhe shprehu gatishmëri për bashkëpunim me opozitën për marrëveshje ndërkombëtare dhe çështjen e presidentit.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së me rreth 97% të votave të numëruara, LVV ka 49,72%, e ndjekur nga PDK me 21,19%, LDK me 13,74% dhe AAK me 5,74%. Nëse LVV kalon 50%, mund të formojë qeverinë e vetme pa koalicion.
Vuçiq njofton shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi vitin e ardhshëm
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se vitin e ardhshëm do të shpallen zgjedhje të parakohshme parlamentare, pas mbledhjes së nënshkrimeve nga studentët në mbarë vendin. Ai tha se kërkesa kryesore e protestuesve është pranuar dhe se zgjedhjet do të mbahen së shpejti. Vuçiq e bëri deklaratën para parlamentit në Beograd, ku paralajmëroi edhe heqjen e çadrave. Ai tha se Sheshi “Nikolla Pashiq” do të hapet për qarkullim më 2 ose 3 janar.
Moti i keq përfshin Gazën, përmbyten mijëra tenda të palestinezëve të zhvendosur
Stuhi të forta shiu dhe batica të larta kanë shkatërruar kampet e palestinezëve të zhvendosur në Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës, duke e thelluar më tej krizën humanitare. Autoritetet lokale bëjnë të ditur se mijëra familje kanë humbur tendat dhe po kërkojnë strehim minimal, ndërsa kushtet e motit pritet të mbeten të vështira edhe në ditët në vijim.
Palestinezët e zhvendosur, të detyruar të jetojnë përgjatë bregdetit në tenda të improvizuara ose ndërtesa të dëmtuara nga lufta, përballen me rrezik të shtuar për shkak të reshjeve të dendura dhe erërave të forta. Situata vjen në një kohë kur Rripi i Gazës tashmë është rëndë i goditur nga ofensiva ushtarake që vazhdon prej tetorit 2023.
Trump, pas takimit me Zelenskyyn: Drejt përfundimit të luftës Rusi–Ukrainë ka “shumë përparim”
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se është bërë përparim i madh drejt përfundimit të luftës Rusi–Ukrainë pas takimit me presidentin Volodymyr Zelenskyy, duke vlerësuar se shumica e planit të paqes mund të përmbyllet brenda disa javësh. Ai përmendi se mbeten disa çështje të vështira, kryesisht territoriale, dhe nuk përjashtoi një takim trepalësh me Putinin dhe Zelenskyyn.
Nga ana e tij, Zelenskyy deklaroi se rreth 90 për qind e planit të paqes është dakorduar, përfshirë garancitë e sigurisë, ndërsa ekipet amerikane, ukrainase dhe evropiane do të vazhdojnë bisedimet në javët në vijim për finalizimin e marrëveshjes.
Dhe kjo është përmbledhja e lajmeve të përditshme nga TRT Balkan. Për më shumë na ndiqni në TRT BALKAN ALBANIAN
