Ministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen të martën, më 3 shkurt, me përfaqësues të Komisionit Evropian për të diskutuar problemet e transportuesve nga rajoni në zonën Shengen, njoftoi të enjten shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Bosnjë e Hercegovinë, Luigi Soreca.
Soreca e ka informuar me telefon për takimin e ardhshëm kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto, ndërsa gjatë bisedës është diskutuar edhe për pengesat në qarkullimin e lirë të mallrave dhe funksionimin e transportit ndërkombëtar, të shkaktuara nga bllokadat e terminaleve kufitare të transportit të mallrave drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
“Interesi ynë i përbashkët është qarkullimi i pandërprerë i mallrave dhe ruajtja e stabilitetit ekonomik. Këshilli i Ministrave mbetet plotësisht i përkushtuar për zgjidhjen e këtij problemi në partneritet me Bashkimin Evropian,” tha Krishto, thuhet në njoftimin me shkrim të Këshillit të Ministrave.
Transportuesit nga Maqedonia e Veriut dhe Malit i Zi raportohet se i kanë ndërprerë bllokadat, kurse ato nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina ende po bllokojnë qarkullimin e mallrave në pikat kufitare me vendet e zonës Shengen, duke protestuar kundër rregullave që kufizojnë qëndrimin e tyre në këtë zonë.
Transportuesit më herët kanë paralajmëruar se zbatimi i rregullit “90 ditë brenda 180 ditëve” edhe për shoferët profesionistë rrezikon punën e tyre dhe ekzistencën e kompanive transportuese në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në versionin e punës të strategjisë së re të Bashkimit Evropian për viza, e cila u prezantua së fundmi në Bruksel, theksohet se profesionistët nga vendet e treta, përfshirë shoferët e kamionëve, artistët në turne, sportistët dhe ekspertët e angazhuar në projekte ndërkufitare, kanë nevojë të qëndrojnë në BE më gjatë se periudha aktualisht e lejuar, pa synim vendosjen e përhershme.
Në dokument theksohet se BE-ja do të bashkëpunojë ngushtë me shtetet anëtare për të identifikuar zgjidhje pragmatike për qëndrime të zgjatura afatshkurtra për kategori të caktuara të shtetasve të vendeve të treta, duke garantuar përfitime sigurie dhe ekonomike për Unionin, si dhe qartësi ligjore për udhëtarët.
Sipas legjislacionit aktual të BE-së, qëndrimi në zonën Shengen është i kufizuar në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, ndërsa për qëndrim më të gjatë nevojitet vizë afatgjatë ose leje qëndrimi e lëshuar nga një prej shteteve anëtare.




















