| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
Raporti: ShBA të shqetësuara për sulmet izraelite ndaj depove të karburantit në Iran
Uashingtoni i befasuar nga shkalla e sulmeve izraelite që shënjestruan dhjetëra objekte karburanti në Iran, raportojnë mediat amerikane.
Raporti: ShBA të shqetësuara për sulmet izraelite ndaj depove të karburantit në Iran
Raporti: ShBA të shqetësuara për sulmet izraelite ndaj depove të karburantit në Iran / Reuters
9 Mars 2026

Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga shkalla e sulmeve ajrore izraelite ndaj depove të karburantit në Iran gjatë fundjavës, duke shënuar mospajtimin e parë të dukshëm mes dy aleatëve që nga fillimi i luftës, raportoi mediumi amerikan Axios, duke cituar burime të njohura me çështjen.

Sipas raportit, sulmet goditën rreth 30 depo karburanti në gjithë Iranin të shtunën, duke tejkaluar atë që zyrtarët amerikanë kishin pritur pasi Izraeli kishte njoftuar paraprakisht Washingtonin për operacionin.

Pas sulmeve u raportuan zjarre të mëdha në kryeqytetin iranian Teheran, me tym të dendur që ngrihej mbi rezervuarët e karburantit dhe zonat industriale.

Në një deklaratë, ushtria izraelite tha se depot e goditura përdoreshin nga qeveria iraniane për furnizimin me karburant të klientëve të ndryshëm, përfshirë njësitë ushtarake.

Zyrtarët amerikanë thanë se Izraeli e kishte informuar ushtrinë amerikane përpara operacionit, por Washingtoni u befasua nga shtrirja e gjerë e sulmeve.

“Presidentit nuk i pëlqen sulmi ndaj objekteve të naftës. Ai dëshiron ta ruajë naftën, jo ta djegë atë. Dhe kjo i kujton njerëzit për rritjen e çmimeve të karburantit,” tha një këshilltar i presidentit amerikan Donald Trump.

Zyrtarët amerikanë shprehën shqetësimin se sulmet ndaj infrastrukturës që u shërben qytetarëve të zakonshëm iranianë mund të kenë efekt të kundërt strategjik, duke forcuar mbështetjen publike për udhëheqjen iraniane dhe duke rritur çmimet globale të naftës.

“Nuk mendojmë se ishte një ide e mirë,” tha një zyrtar i lartë amerikan.

Raporti thekson se, megjithëse objektet e goditura nuk ishin vende prodhimi të naftës, zyrtarët në Washington kanë frikë se pamjet e depove të karburantit në flakë mund të tronditin tregjet energjetike.

Zyrtarët iranianë paralajmëruan se sulmet e vazhdueshme ndaj infrastrukturës energjetike mund të nxisin kundërpërgjigje.

Një zëdhënës i shtabit Khatam al-Anbiya, që mbikëqyr operacionet ushtarake të Iranit, tha se Teherani mund të përgjigjet me sulme të ngjashme në të gjithë rajonin nëse këto sulme vazhdojnë.

Ai shtoi se Irani deri tani ka shmangur shënjestrimin e infrastrukturës energjetike në rajon, por paralajmëroi se nëse e bën këtë, çmimi global i naftës mund të rritet deri në 200 dollarë për fuçi.

Edhe kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, paralajmëroi se Teherani do të kundërpërgjigjet “pa vonesë” nëse sulmet ndaj infrastrukturës vazhdojnë.

Përshkallëzimi rajonal është rritur që kur Izraeli dhe SHBA-ja nisën një sulm të përbashkët ndaj Iranit më 28 shkurt, ku sipas autoriteteve iraniane u vranë më shumë se 1,200 persona, përfshirë udhëheqësin suprem Ajatollah Ali Khamenei, dhe u plagosën mbi 10,000 të tjerë.

Irani është kundërpërgjigjur me sulme me raketa dhe dronë ndaj Izraelit, Irakut, Jordanisë dhe vendeve të Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane.