Në Uashington D.C ka nisur mbledhja inauguruese e Bordit të Paqes, ndërkohë merr pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Sipas një njoftimi nga Kryeministria e Shqipërisë, mbledhja ka nisur me pjesëmarrjen e kryetarëve të shteteve, qeverive dhe përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë.
Theksohet se pas fotos familjare me pjesëmarrësit, seanca është hapur me fjalën mirëseardhëse të Presidentit të ShBA-së, Donald Trump.
"Në tryezën e rrumbullakët do të ketë prezantime dhe përditësime nga figura të rëndësishme ndërkombëtare pjesëmarrëse në takim mbi natyrën historike të kësaj nisme, përpjekjet për lirimin e pengjeve dhe koordinimin e ndërmjetësve, adresimin e nevojave humanitare dhe të sigurisë në Gaza, procesin e demilitarizimit, rindërtimin përmes një plani të përgjithshëm zhvillimi, forcimin e kapaciteteve institucionale, si edhe krijimin e mekanizmave financiarë transparentë, përfshirë Fondin Sovran të Pasurisë", thuhet në njoftim.
Gjithashtu thuhet se nisja e aktivitetit të Bordit të Paqes shënon një hap të ri në koordinimin ndërkombëtar për adresimin e sfidave globale të sigurisë dhe të rindërtimit.
Ndër të tjerash, njoftimi thekson se prania e Shqipërisë në bordin themelues, "dëshmon sërish se Shqipëria qëndron me vendosmëri përkrah shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global".
Më 22 janar Kuvendi i Shqipërisë ka ratifikuar me procedurë të përshpejtuar marrëveshjen për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes.










