Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi takime dypalëshe me disa liderë botërorë në kuadër të Samitit të Liderëve të Konferencës së 31-të të Palëve të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP31), përfshirë sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, presidentin e Brazilit, Lula da Silva, presidentin e Iranit, Masoud Pezeshkian, presidentin e Irakut, Nizar Amedi dhe kryeministrin e Australisë, Anthony Albanese.
Presidenti Erdoğan zhvilloi aktivitet të ngjeshur diplomatik në kuadër të COP31, të organizuar në ambientet e EXPO-s në Antalya. Më 10 nëntor, Erdoğan u takua fillimisht me Sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres. Gjatë takimit, ai tha se Türkiye vazhdon përpjekjet, së bashku me vendet e rajonit, për të ulur tensionet mes Iranit dhe ShBA-së dhe për të siguruar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes dialogut dhe diplomacisë.
Ai theksoi se Türkiye po punon për t'i dhënë fund luftës mes Ukrainës dhe Rusisë dhe se është e gatshme të mbështesë proces të ri dialogu. Gjatë takimit u diskutua edhe për situatën e fundit në Gaza, Qipro dhe Libi. Pas takimit me Guterresin, Erdoğan u takua me presidentin e Brazilit, Lula da Silva. Ky ishte takimi i parë zyrtar ndërkombëtar ballë për ballë i Lula da Silvës pas rizgjedhjes së tij në detyrë.
Gjatë takimit, ku u diskutuan marrëdhëniet Türkiye-Brazil dhe zhvillimet rajonale e globale, Erdoğan tha se Türkiye synon ta çojë më tej përparimin e arritur nga Brazili gjatë kryesimit të COP30 në negociatat për klimën. Ai theksoi se COP31 është konceptuar si konferencë e përqendruar në zbatimin e vendimeve të marra.
Përgëzime Etiopisë për organizimin e COP32
Gjatë pritjes së kryeministrit të Etiopisë, Abiy Ahmed, u diskutua për marrëdhëniet mes Türkiye dhe Etiopisë si dhe çështjet rajonale. Erdogan tha se të dyja vendet do të vazhdojnë të ndërmarrin hapa për ta zgjeruar bashkëpunimin në shumë fusha, veçanërisht në tregti dhe investime. Ai theksoi se mbështetja e Türkiyes për paqen dhe stabilitetin në rajon do të vazhdojë.
Erdoğan e përgëzoi kryeministrin etiopian për organizimin e COP32 nga vendi i tij.
Gjatë takimit me kryeministrin e Bangladeshit, Tarik Rahman, u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale. Erdoğan theksoi rëndësinë e vazhdimit të hapave për zhvillimin e bashkëpunimit mes Türkiyes dhe Bangladeshit në shumë fusha, veçanërisht në tregti dhe industrinë e mbrojtjes.
Ai deklaroi se Türkiye do t'i vazhdojë përpjekjet që situata humanitare në Cox's Bazar të mbetet në agjendën e komunitetit ndërkombëtar.
Nënshkruhet memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin energjetik me Arabinë Saudite
Erdogan priti ministrin e Energjisë të Arabisë Saudite, Abdulaziz bin Salman Al Saud. Pas takimit, në praninë e presidentit turk, ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore i Türkiyes, Alparslan Bayraktar dhe homologu i tij saudit nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunimin në Projektet e Energjisë Elektrike mes dy vendeve.
Gjatë takimit me liderin e Turkmenistanit dhe kryetarin e Këshillit Popullor, Gurbanguly Berdimuhamedow, Erdoğan theksoi nevojën për intensifikimin e bashkëpunimit në fushat e energjisë, tregtisë, industrisë së mbrojtjes dhe investimeve.
Ai tha se Organizata e Shteteve Turke po forcohet gjithnjë e më shumë dhe se rëndësia e saj strategjike u rikonfirmua në Samitin e Ankarasë. Erdoğan shprehu dëshirën që Turkmenistani t'i bashkohet organit si anëtar i Asamblesë Familjare.
Diskutohet procesi i normalizimit me kryeministrin armen Pashinyan
Më 11 nëntor, ditën e parë të Samitit të Liderëve të COP31, Erdoğan priti në ambientet e EXPO-s në Antalya kryeministrin e Australisë, Anthony Albanese.
Gjatë takimit u diskutuan marrëdhëniet mes Türkiye dhe Australisë si dhe çështjet rajonale dhe globale. Erdoğan theksoi se potenciali i tregtisë dypalëshe mes dy vendeve është më i madh se niveli aktual dhe se është e rëndësishme të shfrytëzohen mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Erdoğan priti kryesuesin e Këshillit Presidencial të Bosnjës e Hercegovinës, Denis Beqiroviq dhe anëtarin e Këshillit Presidencial, Zheljko Komshiq. Ai tha se Türkiye vlerëson miqësinë e të tre popujve përbërës të Bosnjë e Hercegovinës dhe do të vazhdojë të mbështesë integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues të vendit.
Ai shtoi se Türkiye po ndjek nga afër dhe mbështet procesin e paqes mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Diskutohen çështjet globale
Presidenti turk priti edhe zëvendëspresidentin e Kinës, Han Zheng. Gjatë takimit u diskutuan marrëdhëniet mes Türkiyes dhe Kinës si dhe zhvillimet rajonale dhe globale.
Erdoğan theksoi rëndësinë e përshpejtimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, duke vënë në dukje mundësitë për zhvillimin e marrëdhënieve në fusha të tilla si investimet, energjia, tregtia dhe turizmi.
Ai tha se Korridori i Mesëm dhe Nisma e Brezit dhe Rrugës mund të harmonizohen ndërsa në kombinim me Projektin e Rrugës së Zhvillimit krijojnë mundësi të rëndësishme bashkëpunimi për vendet.
Përpjekjet për t'i dhënë fund konfliktit mes Iranit dhe ShBA-së
Më 12 nëntor, në ditën e dytë dhe të fundit të Samitit të Liderëve të COP31, Erdoğan u takua fillimisht me presidentin e Iranit, Masoud Pezeshkian.
Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet Türkiye-Iran si dhe çështjet rajonale dhe globale.
Erdoğan shprehu dëshirën që konflikti mes Iranit dhe ShBA-së të përfundojë sa më shpejt dhe të vendoset paqe e qëndrueshme. Ai theksoi se për krijimin e një periudhe stabiliteti duhet të forcohet baza e kompromisit dhe t'i jepet mundësi diplomacisë.
Presidenti turk nënvizoi rëndësinë e krijimit të tryezës së negociatave pa humbur më shumë kohë.
Vendoset për zhvillimin e partneritetit me Republikën Demokratike të Kongos
Erdoğan u takua edhe me presidentin e Republikës Demokratike të Kongos (RDK), Felix Antoine Tshisekedi. Gjatë takimit u shqyrtuan marrëdhëniet mes dy vendeve dhe çështjet rajonale.
Presidenti turk deklaroi se partneriteti mes Türkiyes dhe RDK-së po zhvillohet në të gjitha fushat dhe se do të vazhdojnë hapat për zgjerimin e bashkëpunimit, veçanërisht në tregti, transport dhe industrinë e mbrojtjes.
Ai theksoi se Türkiye mbështet integritetin territorial të Republikës Demokratike të Kongos dhe shprehu dëshirën për vendosjen e një stabiliteti të qëndrueshëm në vend.
Gjatë takimit me kryetarin e Këshillit të Sovranitetit të Sudanit, Abdel Fattah al-Burhan, Erdogan tha se do t'i vazhdojnë hapat për forcimin e marrëdhënieve mes Türkiyes dhe Sudanit. Ai theksoi rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit në shumë fusha, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes, investime dhe bujqësi.
Erdogan rikonfirmoi mbështetjen e Türkiyes për unitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Sudanit, duke theksuar se Ankaraja po ndjek nga afër zhvillimet në terren dhe mbështet “Nismën e Paqes për Sudanin”.
Aleanca e Mbrojtjes së Mekës e forcon solidaritetin
Gjatë takimit me kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif, Erdogan tha se do të vazhdojnë hapat për t'i dhënë një hov të ri marrëdhënieve mes Türkiyes dhe Pakistanit dhe se po punohet për përshpejtimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, veçanërisht në transport dhe industrinë e mbrojtjes.
Ai theksoi se Aleanca e Mbrojtjes së Mekës e ka forcuar më tej solidaritetin mes Türkiyes dhe Pakistanit. Erdoğan shtoi se të dy vendet do të vazhdojnë të kontribuojnë në përpjekjet për t'i dhënë fund konfliktit në Iran dhe se janë të gatshme të ndihmojnë përmes qasjeve paqësore edhe në zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet Pakistani në rajon.
Gjatë takimit me presidentin e Somalisë, Hassan Sheikh Mohamud, Erdoğan theksoi vendosmërinë e të dy vendeve për të zhvilluar bashkëpunimin në shumë fusha, me përparësi mbrojtjen dhe energjinë. Ai tha se paqja dhe stabiliteti i Somalisë kanë rëndësi të madhe për Türkiyen, duke shprehur dëshirën për suksesin e procesit të dialogut kombëtar, vendosjen e unitetit kombëtar dhe arritjen e paqes shoqërore.
Në takimin me presidentin e Republikës së Kongos, Denis Sassou Nguesso, u diskutua për marrëdhëniet mes Türkiyes dhe Republikës së Kongos si dhe çështjet rajonale.
Presidenti turk tha se dy vendet kanë shënuar përparim të mirë në bashkëpunimin në fushat e tregtisë dhe investimeve dhe se do të vazhdojnë përpjekjet për të shfrytëzuar potencialin e tyre dhe për të zhvilluar më tej marrëdhëniet.
Një rajon pa terrorizëm
Gjatë takimit me presidentin e Irakut, Nizar Amedi, Erdoğan diskutoi për marrëdhëniet mes Türkiyes dhe Irakut si dhe çështjet rajonale.
Ai tha se është shënuar përparim në Projektin e Rrugës së Zhvillimit, i cili do t'i forcojë lidhjet e Irakut me botën dhe do të krijojë një korridor të ri për tregtinë Lindje-Perëndim. Erdoğan theksoi se do të vazhdojnë hapat për forcimin e bashkëpunimit në shumë fusha, veçanërisht në energji.
Presidenti turk nënvizoi se pret që Iraku të vazhdojë të rrisë mbështetjen për objektivin e një “rajoni pa terrorizëm”, duke theksuar se realizimi i këtij synimi do t'u sjellë përfitime të dy vendeve.
Erdogan u takua gjithashtu me presidenten e Tanzanisë, Samia Suluhu Hassan, me të cilën diskutoi për marrëdhëniet dypalëshe. Ai tha se vëllimi i tregtisë mes Türkiyes dhe Tanzanisë është rritur falë hapave të ndërmarrë dhe se të dy vendet do të vazhdojnë përpjekjet për të zgjeruar bashkëpunimin në shumë fusha mbi bazën e parimit “përfitim i ndërsjellë”.














