| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kuvendi i Kosovës miraton buxhetin e vitit 2027 me vlerë 4,27 miliardë euro
Kryeministri Kurti tha se buxheti i vitit 2027 do të shënojë nivel të ri të investimeve kapitale ku për herë të parë, mbi 1 miliard euro do të ndahen vetëm për këtë kategori.
Kuvendi i Kosovës miraton buxhetin e vitit 2027 me vlerë 4,27 miliardë euro
Kuvendi i Kosovës miraton buxhetin e vitit 2027 me vlerë 4,27 miliardë euro / AFP (Wire)
 

Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka miratuar në parim projektbuxhetin për vitin 2027, pas diskutimeve të gjata deri në mesnatë mes deputetëve.

Buxheti i projektuar i vitit të ardhshëm i Kosovës arrin në 4,27 miliardë euro, rreth 200 milionë euro më shumë sesa buxheti i rishikuar i vitit 2026, apo 300 milionë euro më shumë se buxheti fillestar i vitit 2026.

Diskutimi zgjati deri në mesnatë, ku më pas u miratua me 61 vota pro. Gjatë prezantimit të dokumentit, kryeministri Albin Kurti u shpreh se synon ta çojë Kosovën në fazë të re të transformimit ekonomik.

Ai tha se nga ky buxhet, 908 milionë euro do të transferohen drejtpërdrejt për financimin e komunave. Kurti tha se buxheti për paga arrin në 1 miliard e 85 milionë euro, që do të shpërndahet te 85 mijë punonjës publikë.

Sipas tij, buxheti i vitit 2027 do të shënojë një nivel të ri të investimeve kapitale ku për herë të parë, mbi 1 miliard euro do të ndahen vetëm për këtë kategori.

Gjithashtu, ai përmendi se në këtë buxhet është paraparë gjithashtu edhe rritja e mbështetjes financiare për ekipet mbrojtëse të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në përputhje me kërkesat e paraqitura nga vetë ekipet mbrojtëse.

Deputetë të opozitës kanë kritikuar projektbuxhetin. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, tek është ndalur te projeksionet për projekte kapitale, ka thënë se buxheti nuk mjafton nëse projektet nuk përfundojnë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku tha se buxheti 4.27 miliardë euro i vitit 2027 është 7 për qind më i madh se buxheti i vitit 2026, por aq tha se ka qenë edhe inflacioni në vend.

Të enjten, planifikohej që të shqyrtohej edhe Ligji për Dhomat e Specializuara, por sipas një marrëveshjeje midis dy partive më të mëdha, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, u shty për javën e ardhshme.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë