Përfaqësia për Shqipërinë e Shoqatës së Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Pavarur nga Türkiye (MUSIAD Albania) ka organizuar program iftari.
Në iftarin e organizuar në Tiranë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke, të institucioneve shqiptare, të organizatave të ndryshme, fëmijë jetimë dhe personalitete nga fusha të ndryshme.
Ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Tayyar Kagan Atay, në fjalën e tij u shpreh se uron që muaji i bekuar i Ramazanit të sjellë bekime dhe mbarësi për Türkiyen dhe Shqipërinë, të cilat sipas tij kanë lidhje të veçanta, si dhe të gjithë botës myslimane.
"Ky Ramazan, për fat të keq, përkon me një periudhë të vështirë të shënuar nga vuajtje të mëdha për shkak të sulmeve ndaj Iranit. Ne si Türkiye, dëshirojmë një fund të menjëhershëm të sulmeve dhe konflikteve të vazhdueshme, dhe një rikthim në tryezën diplomatike për të rivendosur paqen rajonale dhe globale. Ne kemi shprehur gatishmërinë tonë për të kontribuar në rivendosjen e diplomacisë, më ne krye presidentin tonë", tha Atay.
Ambasadori Atay theksoi se beson se aktivitetet e degës së MUSIAD-it në Shqipëri do të vazhdojnë të rrisin kontributet e tyre në tregtinë midis dy vendeve.
Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Klodiana Spahiu, gjatë fjalës së saj u shpreh se ky iftar ka një veçanti shumë të madhe, duke shtuar se "ka në gjirin tonë shumë fëmijë".
"Ato (fëmijët) në fakt e kanë zbukuruar çdo tavolinë dhe besoj që bukuria e këtij iftari është pikërisht mbështetja e këtyre fëmijëve jetimë", tha ajo. Spahiu theksoi se MUSIAD Albania është një rrjet shumë i mirë për fuqizimin e biznesit.
Nënkryetari i Komisionit të Organizimit të Jashtëm të MUSIAD-it, Ismail Filizfidanoglu, në fjalën e tij u shpreh se lutet që muaj i bekuar i Ramazanit të forcojë vëllazërinë mes dy vendeve, të zbusë zemrat dhe të jetë një mjet për rritjen e mirësisë.
"Sot MUSIAD operon në një zonë të gjerë gjeografike që shtrihet nga Amerika deri në zemër të Evropës, nga Ballkani deri në tregjet në zhvillim të Afrikës dhe nga Lindja e Mesme deri në Lindjen e Largët, duke përbërë përfaqësimin më të përhapur të botës së biznesit turk në shkallë globale", tha Filizfidanoglu.
Kryetari i MUSIAD Albania, Muhammet Isler, u shpreh se kjo tablo që shikohet në iftar është shprehja më e bukur e unitetit, vëllazërisë dhe një të ardhmeje të përbashkët.
"MUSIAD Albania, përfaqësues i kësaj strukture të fuqishme në Ballkan, mban përgjegjësinë e të qenit një aktor kryesor në zhvillimin rajonal, përtej të qenit një urë strategjike ekonomike midis Türkiyesë dhe Shqipërisë", tha Isler.





















