Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar qasjen e BE-së ndaj Kosovës.
Kurti gjatë Programit të “Willy Brandt” për zgjerimin e Bashkimit Evropian, nga Socialistët dhe Demokratët, theksoi se gjatë mandatit të tij politikat e Kosovës “më shumë janë pëlqyer sesa mbështetur”, ndërsa të Serbisë “më pak janë pëlqyer, e më shumë janë përkrahur”.
Megjithatë, sipas Kurtit, Kosova mbetet nën masat kufizuese të Bashkimit Evropian.
“Me fjalë të tjera, politikat tona janë pëlqyer më shumë sesa janë mbështetur, ndërsa politikat e fqinjit tonë verior janë pëlqyer më pak, por janë mbështetur më shumë. Fqinjit tonë verior, që është agresiv, provokon tensione dhe synon destabilizimin, sot i ofrohet strehë dhe mbrojtje një terroristi, ndërsa Kosova mbetet nën masa kufizuese nga Bashkimi Evropian”, u shpreh Kurti.
“E megjithatë sot tolerohet, nganjëherë edhe racionalizohet, këtu në Bruksel, ku balancimi i njëkohshëm i fqinjit tonë verior mes Moskës dhe Brukselit shihet si manovër strategjike, në vend që të shihet për atë që është në të vërtetë – një fyerje ndaj vlerave të BE-së dhe një pasqyrim i një politike të dështuar ndaj Serbisë”, tha Kurti.
Ai tha se kjo nuk është thjesht një mospërputhje, por një sfidë për besueshmërinë dhe reputacionin e projektit evropian.
Kurti tha se beson se Kosova është e gatshme të jetë pjesë e kësaj e të ardhmes evropiane.
Po ashtu, Kurti theksoi se pesë vendet e mbetura të BE-së “duhet ta njohin Kosovën”.
Ndërkaq, Albin Kurti bëri të ditur se Kosova pos Bashkimit Evropian dëshiron të anëtarësohet edhe në procesin euroatlantik, në NATO.
Sipas Kurtit, Kosova tashmë e ka arritur pragun e NATO-s për 2% të BPV-së për shpenzimet në mbrojtje, “por e kuptojmë se duhet të bëjmë më shumë si pjesë e përgjegjësisë sonë të përbashkët”. Dhe do ta bëjmë, sepse nuk mund t'u lejojmë autokratëve, qoftë në Moskë apo në Beograd, ta përcaktojnë të ardhmen e kontinentit tonë”.