Nëse i besohet Athinës, mënyra për ta bërë të pavlefshëm një traktat është ta deklarosh atë të pavlefshëm mjaftueshëm shpesh.
Greqia e ka kundërshtuar vazhdimisht memorandumin detar Türkiye-Libi të vitit 2019, duke llogaritur në ndasitë politike të Libisë për të parandaluar ratifikimin e tij. Por kjo llogaritje pësoi një goditje më 20 tetor.
Dhoma e Përfaqësuesve e Libisë e ratifikoi unanimisht marrëveshjen në Bengazi, ndërsa Këshilli i Lartë i Shtetit me bazë në Tripoli e përshëndeti vendimin si një zhvillim pozitiv. Dy institucione rivale libiane ishin rreshtuar praktikisht në të njëjtën linjë për një marrëveshje të cilën Athina e kishte kundërshtuar prej vitesh.
Ankaraja kaloi muaj të tërë duke ndërtuar lidhje përtej ndasive politike të Libisë. Ajo priti Saddam Haftarin, rihapi konsullatën e saj në Bengazi dhe lehtësoi kontaktet ushtarake midis Libisë lindore dhe asaj perëndimore. Në gusht, ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan vizitoi Bengazin, ku u takua me Khalifa Haftarin dhe figura të tjera të larta të Libisë lindore.
Ndërsa Athina mbështetej te ndasitë e Libisë, Ankaraja kërkoi t'i kapërcente ato. Ratifikimi ekspozoi kufijtë e strategjisë së Greqisë dhe nxiti kundërshtime të reja ligjore dhe diplomatike.
Fakti nr. 56119
I nënshkruar më 27 nëntor 2019, memorandumi Türkiye-Libi hyri në fuqi më 8 dhjetor 2019 dhe u regjistrua në Sekretariatin e OKB-së me numrin 56119.
Greqia argumenton se regjistrimi në OKB nuk i jep vlefshmëri ligjore. Ndonëse vetë regjistrimi nuk përcakton vlefshmërinë, Neni 102 i Kartës së OKB-së lejon që traktatet e regjistruara të thirren përpara organeve të OKB-së.
Athina po ashtu pohon se memorandumi nuk mund të prodhojë pasoja ligjore për shtetet e treta. Megjithatë, ky është një parim i përgjithshëm i së drejtës së traktateve. Sipas Nenit 34 të Konventës së Vjenës, marrëveshjet nuk krijojnë të drejta apo detyrime për shtetet e treta pa pëlqimin e tyre.
I njëjti parim vlen edhe për marrëveshjen detare të Greqisë me Egjiptin në vitin 2020, e cila nuk mund t'i imponojë detyrime Türkiyesë apo Libisë. Juristi greko-qipriot Nicholas A. Ioannides ka pranuar se marrëveshja Athinë-Kajro nuk mund ta anulojë memorandumin Türkiye-Libi.
Mosmarrëveshja më e thellë ka të bëjë me mënyrën se si duhen projektuar kufijtë detarë në Mesdheun Lindor.
Greqia argumenton se memorandumi cenon të drejtat e saj detare. Türkiye këmbëngul se ishujt nuk duhet të marrin automatikisht efekt të plotë kur projeksionet e tyre detare mbivendosen me ato të shteteve kontinentale fqinje.
Në një letër drejtuar OKB-së, Ankaraja argumentoi se ishujt nuk duhet të presin projeksionin bregdetar të një kontinenti dhe theksoi gjatësinë dhe drejtimin e vijave bregdetare si faktorë të rëndësishëm.
Sipas shifrave turke, vija bregdetare e Türkiyes në Mesdheun Lindor është rreth 1.870 km e gjatë, krahasuar me 167 km të Greqisë në të njëjtin pellg.
Konventa e OKB-së për të Drejtën e Detit, ku Türkiye nuk është palë, bën thirrje për një zgjidhje të drejtë në përcaktimin e kufijve të shelfit kontinental sipas Nenit 83. Neni 121 trajton të drejtat e ishujve pa përcaktuar efektin e tyre të saktë në çdo mosmarrëveshje kufitare.
Edhe vendimet e gjykatave ndërkombëtare kanë njohur rëndësinë e gjeografisë. Në çështjen Libi-Maltë,Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë rregulloi vijën kufitare pasi mori parasysh faktorët përkatës gjeografikë.Në çështjen e Detit të Zi, ajo nuk i dha Ishullit të Gjarpërinjve asnjë efekt shtesë përtej ujërave të tij territoriale.
Vetë Greqia ka pranuar rregullime për të drejtat e ishujve. Në një fjalim të vitit 2020, kryeministri Kyriakos Mitsotakis pranoi se disa ishuj grekë morën efekt të reduktuar sipas marrëveshjes detare të vendit me Italinë.
Këto precedentë forcojnë argumentin e Ankarasë se përcaktimi i kufijve detarë nuk mund të vendoset vetëm nga prania e ishujve.
Türkiye këmbëngul se vijat bregdetare të Anadollit jugperëndimor dhe Libisë verilindore janë përballë njëra-tjetrës për qëllime të përcaktimit të kufirit. Neni 1 i memorandumit e përcakton kufirin e tyre të dakordësuar si një vijë baraslargësie.
Për Ankaranë, marrëveshja mbështet gjithashtu doktrinën e saj më të gjerë detare "Atdheu Blu". Ratifikimi i Libisë tani i ka dhënë mbështetje të re politike një ujdie të cilën Greqia ka kaluar vite duke u përpjekur ta minojë.
Kundërshtimet diplomatike të Greqisë
Më 20 tetor, Ministria e Jashtme greke e shpalli memorandumin "të pavlefshëm dhe nul". Egjipti përsëriti kundërshtimin e tij ditën pasuese.
Ministri i Jashtëm grek Giorgos Gerapetritis argumentoi se ratifikimi nuk i shtoi asgjë statusit ligjor të memorandumit dhe vuri në dyshim legjitimitetin e qeverisë libiane që e nënshkroi atë.
Megjithatë, Greqia kishte përmendur më parë mungesën e miratimit nga Dhoma e Përfaqësuesve e Libisë si arsye për refuzimin e marrëveshjes. Tani që parlamenti e ka miratuar atë, Athina pohon se vendimi nuk ka efekt ligjor.
Ky ndryshim ekspozon një mospërputhje në argumentin diplomatik të Greqisë.
Rezoluta 2259 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbështeti Marrëveshjen Politike Libiane dhe njohu Qeverinë e Pajtimit Kombëtar si qeverinë e vetme legjitime të Libisë në atë kohë.
BE-ja ka mbështetur qëndrimin e Greqisë. Më 20 tetor, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa e cilësuan memorandumin si "të pavlefshëm dhe nul" dhe shprehën keqardhje për vendimin e parlamentit libian.
Mosmarrëveshja prek gjithashtu hartën e Seviljes, për të cilën Türkiye argumenton se do të kufizonte rëndë juridiksionin e saj detar. Megjithatë, Komisioni Evropian sqaroi në vitin 2020 se nuk e kishte porositur atë hartë,ndërsa Ambasada e ShBA-së në Ankara deklaroi se ajo nuk kishte asnjë rëndësi ligjore.
Mosmarrëveshja shtrihet në lindje drejt ishullit Meis (Kastellorizo) dhe Qipros së administruar nga grekët. Türkiye argumenton se dhënia e efektit të plotë detar për Meis-in do të lidhte pretendimet detare greke me ato të avancuara nga Qiproja e administruar nga grekët, duke kufizuar juridiksionin detar të Ankarasë dhe duke shpërfillur interesat e qipriotëve turq.
Më 26 tetor, Gerapetritis mbajti një deklaratë të përbashkët në emër të Greqisë, Administratës së Qipros Greke, Egjiptit, Bahrejnit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe BE-së. Tre ditë më vonë, Mitsotakis e cilësoi memorandumin si të paligjshëm dhe arbitrar gjatë një seance të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Por deklaratat e qeverive individuale nuk përbëjnë një vendim të Këshillit të Sigurimit mbi përcaktimin e kufijve detarë.
Siç vuri në dukje i dërguari i Türkiyes në OKB, Ahmet Yildiz, Këshilli nuk vepron si gjykatë për përcaktimin e kufijve detarë.
Përballja po zhvillohet paralelisht me rritjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes midis Greqisë, Izraelit dhe Administratë së Qipros Greke. Greqia nënshkroi një marrëveshje prej 750 milionë dollarësh me Izraelin për sistemet e artilerisë raketore PULS në prill, e ndjekur nga një marrëveshje me vlerë rreth 3 miliardë euro për sistemin e mbrojtjes ajrore "Mburoja e Akilit" në gusht.
Për Ankaranë, këto zhvillime përforcojnë shqetësimet se Greqia dhe partnerët e saj rajonalë po forcojnë pozicionin e tyre ushtarak ndërsa kërkojnë të kufizojnë ndikimin detar të Türkiyes.
Kilometrat katrorë të humbur të Kajros
Egjipti mbetet një partner kyç në kundërshtimin e Greqisë ndaj memorandumit, por interesat e tij detare e ndërlikojnë këtë rreshtim.
Pas një telefonate më 22 tetor midis Gerapetritis dhe ministrit të Jashtëm egjiptian Badr Abdelatty, mediat greke raportuan se të dy vendet do të diskutonin zgjerimin e marrëveshjes së tyre detare të vitit 2020 në lindje të meridianit të 28-të.
Megjithatë, Ministria e Jashtme e Egjiptit tha vetëm se konsultimet do të vazhdonin.
Ky dallim ka rëndësi sepse një zgjerim drejt lindjes do të përfshinte zona ku pretendimet e Greqisë në lidhje me Meisin kryqëzohen me të drejtat e mundshme detare të Egjiptit.
Türkiyea argumenton se Egjipti tashmë ka pranuar më pak juridiksion detar sesa mund të kishte siguruar përmes marrëveshjeve të bazuara kryesisht në vijat bregdetare kontinentale.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Türkiyes, marrëveshja detare e vitit 2003 midis Egjiptit dhe Admnistrat së Qipros Greke i hoqi Kajros rreth 11.500 km² juridiksion të mundshëm detar.
Zyrtarët turq pohojnë gjithashtu se marrëveshja Greqi-Egjipt e vitit 2020 e la Kajron me rreth 15.000 km² më pak sesa mund të kishte përftuar përmes një marrëveshjeje me Türkiyen.
Këto shifra pasqyrojnë interpretimin e Ankarasë dhe jo një përcaktim të gjykuar ndërkombëtarisht.
Dëshmitë nga negociatat e Greqisë sugjerojnë gjithashtu se Egjipti siguroi lëshime.
Në një fjalim parlamentar të vitit 2020, Mitsotakis pranoi se Kajroja kishte refuzuar "propozime joshëse" që i ofronin asaj hapësirë detare "shumë më të madhe".
Një llogaritje e publikuar nga Instituti Helen për Studime Strategjike sugjeron se vija e mesme e preferuar fillimisht nga Athina do t'i kishte caktuar Egjiptit rreth 35 000 km², krahasuar me më shumë se 41.000 km² sipas marrëveshjes së nënshkruar.
Diferenca prej më shumë se 6.000 km² ilustron se si negociatat u larguan nga pozicioni fillestar i Greqisë për të akomoduar interesat e Egjiptit.
Gjatë një takimi më 23 tetor në Istanbul, Abdelatty përsëriti kundërshtimet e Egjiptit ndaj memorandumit Türkiye-Libi. Fidan pranoi shqetësimet e Kajros dhe bëri thirrje që konsultimet të vazhdojnë.
Në një konferencë për shtyp më 28 tetor, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Türkiyes përsëriti se një marrëveshje me Ankaranë mund t'i jepte Egjiptit më shumë se 15.000 km² juridiksion detar shtesë krahasuar me marrëveshjen e tij me Greqinë.
Për Kajron, propozimet konkurruese ngrenë një pyetje themelore: nëse rreshtimi i vazhdueshëm me Athinën u shërben më së miri interesave detare të Egjiptit.
Ratifikimi i Libisë i ka dhënë një goditje strategjisë së Greqisë për ta sfiduar memorandumin përmes ndasive politike të Libisë. Athina vazhdon ta kontestojë ligjshmërinë e tij, por miratimi parlamentar ka forcuar pozicionin diplomatik të Ankarasë.
Pa negociata që adresojnë pretendimet konkurruese detare, mosmarrëveshja rrezikon të mbetet e bllokuar në kundërshtime diplomatike, ndërsa Türkiye dhe Libia vazhdojnë të avancojnë pozicionin e tyre në Mesdheun Lindor.














