Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëroi se sulmet e kolonëve izraelitë dhe shembjet e banesave po detyrojnë qindra palestinezë të largohen nga shtëpitë e tyre në Bregun Perëndimor të pushtuar, me 818 persona të zhvendosur vetëm këtë muaj.
Në një deklaratë, Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) bëri të ditur se 688 palestinezë janë zhvendosur nga tetë komunitete si pasojë e dhunës së kolonëve, duke përbërë mbi 40 për qind të të gjitha rasteve të zhvendosjes të lidhura me kolonët gjatë vitit 2025.
Sipas OCHA-s, edhe 130 palestinezë të tjerë janë zhvendosur si pasojë e shembjeve të banesave, duke e çuar në 818 numrin total të personave të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Duke theksuar se 100 banorët e mbetur të komunitetit beduin Ras Ein al-Auja, pranë Jerikos, u detyruan të largohen pas sulmeve dhe kërcënimeve të përsëritura nga kolonë izraelitë, OCHA tha se “komuniteti tani është plotësisht i zbrazur”.
Kolonët e paligjshëm kanë dëmtuar gjithashtu ose kanë bllokuar qasjen në tokat e kullotës dhe kanë penguar barinjtë të përdorin një burim uji aty pranë, ndërsa vjedhja e bagëtive dhe dëmtimi i pronës kanë goditur rëndë mjetet e jetesës së komuniteteve palestineze, thuhet në deklaratë.
“Që prej ditës së djeshme, forcat izraelite raportohet se kanë nisur shembjen e dhjetëra objekteve në pronësi palestineze” në zonën Kafr Aqab të Jerusalemit Lindor, njoftoi OCHA.
Agjencia shtoi se viti 2025 ka shënuar nivelin më të lartë të shembjeve në Jerusalemin Lindor në gati dy dekada, ndërsa po kryhen vlerësime dhe po punohet me partnerët humanitarë për të ofruar ndihmë urgjente për familjet e zhvendosura.
Sipas grupit izraelit të majtë “Peace Now”, më shumë se 500 mijë kolonë izraelitë jetojnë në vendbanime dhe poste të paligjshme në të gjithë Bregun Perëndimor, ndërsa rreth 250 mijë të tjerë jetojnë në vendbanime të ndërtuara në tokë të pushtuar në Jerusalemin Lindor.
Sulmet e kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve janë intensifikuar në Bregun Perëndimor që nga nisja e ofensivës në Rripin e Gazës në tetor të vitit 2023.
Sipas burimeve palestineze, forcat izraelite dhe kolonët e paligjshëm kanë vrarë të paktën 1.109 palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Jerusalemin Lindor, kanë plagosur rreth 11 mijë të tjerë dhe kanë ndaluar 21 mijë persona që nga tetori 2023.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin izraelit të territoreve palestineze në një opinion historik në korrik të vitit 2024 dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.























