Vietnami dhe Bashkimi Evropian (BE) i ngritën marrëdhëniet e tyre në nivelin e një "partneriteti strategjik gjithëpërfshirës", teksa presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa realizoi një vizitë në Hanoi te presidenti vietnamez, Luong Cuong, transmeton Anadolu.
Sipas Këshillit Evropian, Costa dhe presidenti vietnamez e shpallën ngritjen e marrëdhënieve gjatë një konference për media.
"Ky përmirësim pasqyron plotësisht thellësinë dhe gjerësinë e bashkëpunimit tonë deri më sot si dhe pritjet tona për zhvillimin në të ardhmen, në tregti, në tranzicionin e gjelbër dhe atë digjital, në siguri dhe në lidhjet mes njerëzve si dhe pasqyron sa ngushtë tashmë janë të lidhura të ardhmet tona", tha Costa.
Në platformën sociale të kompanisë amerikane X, Costa tha se BE-ja dhe Hanoi janë "partnerë të besueshëm dhe të parashikueshëm, të bashkuar nga një përkushtim i fortë ndaj rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, ndaj multilateralizmit dhe ndaj paqes dhe stabilitetit".
Costa theksoi se në një moment kur rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla është nën kërcënim nga shumë anë, "ne duhet të qëndrojmë krah për krah si partnerë të besueshëm dhe të parashikueshëm".
"Bëhet fjalë për zhvillimin e fushave të prosperitetit të përbashkët. Por, bëhet fjalë gjithashtu për besueshmërinë e rregullave ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse partneriteti ynë ka rëndësi përtej rajoneve tona", shtoi ai.
Kjo shënon partneritetin e parë Strategjik Gjithëpërfshirës të BE-së në Azinë Juglindore.





















