Avioni i parë luftarak pa pilot i Türkiyes Bayraktar KIZILELMA, i zhvilluar nga Baykar, ka përfunduar me sukses testet e sistemeve aerodinamike si pjesë e programit të planifikuar të testimit.
Bayraktar KIZILELMA, i zhvilluar tërësisht me burimet e veta nga Baykar, kaloi me sukses testin e sistemit aerodinamik dje, njoftoi kompania.
Prototipi i prodhimit TC-OZB3, i caktuar PT3, u ngrit nga Qendra e Trajnimit dhe Testimit të Fluturimit AKINCI në Tekirdag dhe përfundoi me sukses të gjitha aktivitetet e provës aerodinamike gjatë fluturimit.
Bazuar në përvojën e fituar nga prototipet e para, ndryshime të rëndësishme strukturore dhe avionike u bënë në prototipin e prodhimit. Një motor i ri me djegie plotësuese është integruar gjithashtu, duke mundësuar fluturimin me shpejtësi pothuajse supersonike. Përveç kësaj, përmirësimet aerodinamike do ta lejojnë atë të jetë më i manovrueshëm me shpejtësi të lartë, ndërsa radari AESA do të sigurojë ndërgjegjësim të lartë të situatës dhe aftësi për të kryer misione komplekse.
Bayraktar KIZILELMA u zhvillua si pjesë e një projekti që filloi në vitin 2021. Prototipi i parë doli nga linja e prodhimit më 14 nëntor 2022 dhe më 14 dhjetor të po këtij viti bëri fluturimin e parë, duke arritur në fazën operacionale në kohë rekord.
Baykar, i cili financon të gjitha projektet me fondet e veta, ka arritur sukses të rëndësishëm global. Që nga fillimi i zhvillimit të dronëve në 2003, kompania ka gjeneruar 83 për qind të të ardhurave të saj nga eksportet.
Në vitin 2023, Baykar eksportoi drone me vlerë 1,8 miliardë dollarë, duke u bërë një nga dhjetë eksportuesit kryesorë në të gjithë sektorët industrialë në Türkiye. Në vitin 2024, kompania vazhdoi rritjen e saj globale, duke gjeneruar 90 për qind të të ardhurave të saj nga shitjet ndërkombëtare.
Baykar është aktualisht eksportuesi kryesor në botë i mjeteve ajrore pa pilot, me kontrata për të eksportuar sistemin Bayraktar TB2 SIHA në 34 vende dhe sistemin Bayraktar AKINCI TİHA në 11 vende.














