Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, pritet të udhëtojë drejt kryeqytetit të Türkiyes, Ankara, si pjesë e vizitës së tij vjetore të “solidaritetit për Ramazanin”, tha të martën zëdhënësi i tij.
“Siç e dini, çdo vit sekretari i përgjithshëm ndërmerr një vizitë solidariteti për Ramazanin. Këtë vit ai do të udhëtojë në Türkiye, në kryeqytetin Ankara, për ta nderuar bujarinë e jashtëzakonshme të popullit turk ndër vite”, tha Stephane Dujarric në një konferencë për shtyp.
Duke kujtuar mikpritjen e Türkiyes ndaj “miliona njerëzve të detyruar të largohen nga dhuna dhe përndjekja”, Dujarric tha se Guterres gjatë vizitës së tij do të takohet me përfaqësues të organizatave joqeveritare që punojnë për të mbështetur refugjatët në Türkiye.
“Türkiye ka ofruar strehim dhe mbështetje, duke pritur një nga popullsitë më të mëdha të refugjatëve në botë, me gati 2,5 milionë refugjatë dhe azilkërkues, përfshirë më shumë se 2,3 milionë sirianë”, theksoi Dujarric.
Gjatë vizitës së tij në Türkiye, Guterres do të marrë gjithashtu “çmimin shtetëror, Çmimin Ndërkombëtar të Paqes Atatürk, të cilin do ta pranojë në emër të personelit të OKB-së në mbarë botën”.
“Gjatë vizitës së tij, sekretari i përgjithshëm është planifikuar të zhvillojë bisedime me presidentin e Türkiyes, (Recep Tayyip) Erdoğan, dhe ministrin e Jashtëm Hakan Fidan”, shtoi Dujarric.





















