Armiqësitë aktive në luftën Rusi-Ukrainë, e cila të sot shënon përvjetorin e saj të katërt mes përpjekjeve për paqe të udhëhequra nga ShBA-ja, mund të marrin fund këtë vit, por një zgjidhje gjithëpërfshirëse mund të kërkojë më shumë kohë, thonë ekspertët.
Presidenti amerikan Donald Trump mburrej se mund t’i jepte fund luftës që filloi më 24 shkurt 2022 brenda 24 orësh nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, por luftimet vazhdojnë pavarësisht më shumë se një viti takimesh dhe bisedimesh me homologët e tij ukrainas dhe rusë, Volodymyr Zelenskyy dhe Vladimir Putin, si dhe me partnerët evropianë.
Që nga fillimi i vitit 2026 janë zhvilluar tre raunde bisedimesh paqeje të ndërmjetësuara nga ShBA-ja midis Moskës dhe Kievit: dy të parat në Abu Dabi dhe e treta në Gjenevë. Përveç shkëmbimit të të burgosurve, i pari në pesë muaj, ka pasur pak përparim, veçanërisht në çështjet që lidhen me lëshimet territoriale, një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes.
Ndërsa i dërguari amerikan Steve Witkoff, i cili drejtoi delegacionin e Uashingtonit, tha se bisedimet arritën “përparim domethënës”, një raund tjetër pritet deri në fund të muajit.
Ndërprerja e armiqësive
Andrey Kortunov, ekspert në Këshillin Rus për Çështje Ndërkombëtare, një institut kërkimor me bazë në Moskë, tha se lufta në Ukrainë ka shkaktuar ndryshime në arkitekturën e sigurisë evropiane dhe se, ndonëse një ndërprerje e armiqësive është mjaft realiste deri në fund të këtij viti, një zgjidhje gjithëpërfshirëse kërkon më shumë kohë.
“Të gjithë do të donin që konflikti të përfundonte sa më shpejt, por këtu duhet të sqarojmë se si e kuptojmë fundin e konfliktit,” tha Kortunov në një intervistë për Anadolu.
Sipas tij, me vullnet politik nga të dyja palët, si dhe me “kushte të favorshme të jashtme”, mund të shpresohet që faza aktive e konfliktit të përfundojë “deri në fund të këtij viti”.
Por, sipas tij, një zgjidhje përfundimtare nënkupton në thelb krijimin e një sistemi të ri sigurie evropiane, që do të thotë shkëputje nga varësia ndaj ShBA-së në fushën e mbrojtjes.
“Kjo është padyshim një detyrë shumë më komplekse dhe zgjidhja e saj do të kërkojë një përbërje tjetër pjesëmarrësish. Është e qartë, për shembull, se do të jetë shumë e vështirë të arrihet një marrëveshje pa vendet kryesore evropiane, pasi në fund të fundit po flasim për kontinentin evropian,” tha Kortunov.
Sipas tij, ky do të jetë një proces i gjatë dhe “vështirë se do të përmbyllet brenda disa muajsh”.
Sa i përket negociatave të fundit në Gjenevë, Kortunov tha se vendimi për të mbajtur një raund tjetër bisedimesh në të ardhmen e afërt është një “rezultat pozitiv”.
“Kjo do të thotë se të dyja palët janë të përkushtuara për të vazhduar dialogun dhe nuk i konsiderojnë diskutimet në Gjenevë si të padobishme apo, aq më tepër, të dëmshme,” tha ai.
Vullneti për luftë
Simon Schlegel, drejtor i programit për Ukrainën në Qendrën për Modernitet Liberal në Berlin, gjithashtu beson se një zgjidhje do të marrë më shumë kohë se ky vit.
“Ajo që mund t’i japë realisht fund kësaj lufte është që njëra palë ose tjetra të humbasë aftësinë për të vazhduar luftën, dhe asnjëra nuk është pranë këtij momenti,” tha Schlegel.
Ai tha se Kievi është më pak i prirur të ndalë luftimet sesa ishte një vit më parë dhe se ekziston një “interes i vërtetë për të vazhduar luftën”.
“Ukraina doli nga një mungesë e madhe artilerie në vitin 2023. Ajo ka zgjidhur problemet më urgjente në çështjet e personelit. Tani ka pak a shumë mjaftueshëm njerëz në vijën e frontit. Nuk ka mjaftueshëm për të krijuar rezervë dhe për të kaluar në ofensivë, por për momentin ka mjaftueshëm për të mbrojtur linjat e saj,” tha analisti.
Ai shtoi se Ukraina “pak a shumë e ka përballuar” tërheqjen e ndihmës ushtarake amerikane një vit më parë dhe, me ndihmën e evropianëve, ka arritur të ruajë furnizimet për nevojat bazë ushtarake, jo për të kaluar në ofensivë, por për të mbrojtur dhe mbajtur vijën e frontit.
“Ukraina në të vërtetë nuk ka zgjedhje tjetër … Asnjë sasi presioni nga Shtetet e Bashkuara nuk mund ta ndryshojë realisht balancën tani,” shtoi ai.
Sa i përket Rusisë, Schlegel tha se vendi është “pak më pranë tani” ndalimit të luftës sesa ishte një vit më parë, por mund ta vazhdojë luftën si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë ushtarak.
“Rusia është e aftë dhe e gatshme të paguajë një çmim shumë të lartë në aspektin ekonomik, por edhe në rekrutimin e njerëzve në ushtri dhe përdorimin e tyre shumë shpejt në këto sulme këmbësorie. Ato janë shumë të kushtueshme për ushtrinë ruse, por Rusia deri tani është në gjendje t’i zëvendësojë edhe këto humbje të shpejta,” tha Schlegel.
Ai pretendoi se ekonomia ruse po shfaq “shenja dobësie”, por ndërsa ndoshta nuk do të rritet këtë vit, gjithashtu nuk ka gjasa të shembet, dhe “për rrjedhojë mund të vazhdojë ta luftojë këtë luftë.”



















