Kuvendi i Shqipërisë ka raportuar se mbrëmjen e djeshme në infrastrukturën IT të institucionit është konstatuar një akses i paautorizuar. Gjatë verifikimeve është vërejtur fshirja e një pjese të dhënash në disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës.
Lajmi u bë i ditur nga Kuvendi përmes një deklarate të shpërndarë për mediet, ku theksoi se vlerësimet paraprake teknike tregojnë se mund të bëhet fjalë për një sulm të sofistikuar kibernetik, i cili ka pasur si synim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e disa sistemeve të brendshme.
“Nga analizat e para rezulton se infrastruktura kryesore e punës nuk është prekur. Faqja zyrtare e Kuvendit të Shqipërisë dhe sistemet e tjera që mbështesin funksionimin e institucionit vijojnë të funksionojnë normalisht”, thuhet në deklaratë.
Menjëherë pas identifikimit të incidentit janë ndërmarrë masa nga autoriteti për izolimin e trafikut të dyshimtë dhe për neutralizimin e sulmit, ndërsa ekipet teknike po punojnë për rikuperimin e të dhënave të fshira në llogaritë e përdoruesve.
Kuvendi informoi se për hetimin e rastit është ngritur një skuadër e përbashkët teknike dhe hetimore, e cila po analizon incidentin në tërësi, me qëllim identifikimin e burimit të sulmit dhe rikthimin e të dhënave të prekura.
“Në këtë proces Kuvendi i Shqipërisë po bashkëpunon ngushtë me institucionet përgjegjëse për sigurinë kibernetike, përfshirë Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), Drejtorinë për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit dhe Komandën Kibernetike në Ministrinë e Mbrojtjes”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, theksohet në deklaratë, gjatë këtyre orëve është ofruar mbështetje teknike edhe nga partnerët ndërkombëtarë, me të cilët po vijon komunikimi për vlerësimin e situatës dhe hapat e mëtejshëm.






















