| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Kina, Rusia dhe ShBA-ja publikojnë deklaratë të përbashkët “Drejt Paqes” pas samitit historik
Liderët deklaruan se një luftë bërthamore “nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë”, duke u zotuar për dialog mbi reduktimin e rreziqeve bërthamore, reformën e OKB-së dhe bashkëpunimin energjetik.
Kina, Rusia dhe ShBA-ja publikojnë deklaratë të përbashkët “Drejt Paqes” pas samitit historik
Kina, Rusia dhe ShBA-ja publikojnë deklaratë të përbashkët “Drejt Paqes” pas samitit historik / Anadolu Agency (Wire)
 

Presidenti i Kinës, i Rusisë dhe ai i ShBA-së publikuan sot një “Deklaratë të Përbashkët Drejt Paqes”, pas samitit të tyre historik trepalësh në Shenzhen, në juglindje të Kinës.

Takimi, i mbajtur në qendrën e teknologjisë Shenzhen, filloi rreth orës 16:30 sipas kohës lokale dhe përfundoi rreth orës 17:50, duke zgjatur afërsisht 80 minuta.

Në deklaratën me katër pika, presidenti kinez Xi Jinping, presidenti rus Vlladimir Putin dhe presidenti amerikan, Donald Trump thanë se një luftë bërthamore “nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë” ndërsa u zotuan për dialog me qëllim reduktimin e rreziqeve bërthamore dhe parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore.

Më poshtë paraqitet teksti i plotë i dokumentit me katër pika, të publikuar nga Kremlini dhe mediat shtetërore kineze.

“Deklarata e krerëve të shteteve të Kinës, Rusisë dhe ShBA-së drejt Paqes”

“Xi Jinping, president i Republikës Popullore të Kinës, Vladimir Putin, president i Federatës Ruse dhe Donald J. Trump, president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u takuan në Shenzhen më 19 nëntor 2026. Krerët e shteteve të Rusisë dhe ShBA-së shprehën mirënjohjen e tyre ndaj Kinës për organizimin e këtij samiti historik trepalësh. Të tre krerët e shteteve zhvilluan një shkëmbim të thelluar pikëpamjesh mbi situatën aktuale ndërkombëtare dhe u zotuan të ruajnë stabilitetin strategjik dhe sigurinë ndërkombëtare.

1. Si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kina, Rusia dhe ShBA-ja u zotuan ta reformojnë OKB-në, në mënyrë që ajo t'u përgjigjet më efektivisht sfidave globale dhe të përmbushë misionin e saj themelor për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

2. Të tria vendet planifikojnë ta rrisin prodhimin dhe furnizimin me produkte të rafinuara të naftës, në dobi të të gjitha vendeve. Ato riafirmuan rëndësinë e ruajtjes së flukseve të qëndrueshme të energjisë.

3. Të tre krerët e shteteve pranuan se parimi i pëlqimit të shteteve dhe respektimi i imuniteteve të zyrtarëve shtetërorë kanë rëndësi parësore si dhe ranë dakord se Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe organet e tjera të ngjashme nuk duhet të abuzojnë me juridiksionin e tyre.

4. Të tre krerët e shteteve riafirmuan se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë. Të tria vendet do të zhvillojnë dialog për reduktimin e rreziqeve bërthamore dhe parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore".

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë