| Albanian
POLITIKË
3 minuta leximi
Udhëheqësit e APEC-ut thirrje për lidhje më të forta rajonale dhe më pak barriera tregtare
Dokumentet “Perspektiva e Shenzhenit e Udhëheqësve të APEC-ut 2026” dhe “Plani i Veprimit për Lidhshmërinë e APEC-ut” theksojnë lidhjet e transportit, transformimin digjital dhe bashkëpunimin ekonomik rajonal.
Udhëheqësit e APEC-ut thirrje për lidhje më të forta rajonale dhe më pak barriera tregtare
Udhëheqësit e APEC-ut thirrje për lidhje më të forta rajonale dhe më pak barriera tregtare / AFP (Wire)
 

Udhëheqësit e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) bënë thirrje për forcimin e lidhjeve rajonale dhe reduktimin e barrierave institucionale ndaj tregtisë dhe investimeve, pas një samiti dyditor në Kinë, thuhet në deklaratën e publikuar sot.

Kina priti Takimin e 33-të të Udhëheqësve Ekonomikë të APEC-ut në qytetin Shenzhen, në juglindje të vendit. Takimi nisi të mërkurën nën temën “Ndërtimi i një Komuniteti Azi-Paqësor për të përparuar së bashku”. Në Planin e Veprimit për Lidhshmërinë e APEC-ut, të publikuar nga Ministria e Jashtme e Kinës, udhëheqësit theksuan rëndësinë e forcimit të lidhjeve ekonomike përmes mekanizmave ekzistues të APEC-ut.

“Ne theksojmë se lidhshmëria lehtëson qarkullimin e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve në të gjithë rajonin”, thuhet në dokument. Sipas tij, forcimi i lidhshmërisë do të ndihmonte në krijimin e lidhjeve më të ngushta ekonomike dhe do të mundësonte rritje afatgjatë drejt një “komuniteti Azi-Paqësor të hapur, dinamik, elastik dhe paqësor”.

Dokumenti riafirmoi angazhimin e forumit ndaj Vizionit të Putrajayas të APEC-ut për vitin 2040, i cili udhëheq përpjekjet afatgjata për bashkëpunimin rajonal.

Lidhjet e transportit dhe transformimi digjital

Plani bën thirrje për forcimin e rrjeteve të transportit tokësor, detar dhe ajror, me qëllim përmirësimin e lidhshmërisë në të gjithë rajonin. Ai thekson rëndësinë e “funksionimit të sigurt dhe efikas të lidhjeve detare, ajrore dhe të transportit të kombinuar për të lehtësuar lëvizjen e njerëzve dhe mallrave”.

Udhëheqësit e APEC-ut kërkuan më shumë inovacion dhe transformim digjital në sistemet e transportit, përfshirë shqyrtimin e përdorimit të teknologjive autonome dhe pa pilot në mënyrë të sigurt dhe të mbrojtur. Dokumenti inkurajoi ekonomitë anëtare që të “reduktojnë barrierat institucionale” për të nxitur tregtinë dhe investimet si dhe për të kontribuar në një ekonomi rajonale më të ndërlidhur.

Udhëheqësit riafirmojnë angazhimin për bashkëpunimin ekonomik

Në një deklaratë të veçantë, të titulluar “Perspektiva e Shenzhenit e Udhëheqësve të APEC-ut 2026”, udhëheqësit pranuan se mundësitë e reja ekonomike po shfaqen krahas sfidave gjithnjë e më komplekse globale.

“Bota po ndryshon me shpejtësi ndërsa mundësitë e reja po shfaqen krahas sfidave komplekse”, thuhet në deklaratë. Udhëheqësit theksuan rolin e përparimeve teknologjike në forcimin e rritjes ekonomike, qëndrueshmërisë dhe dinamizmit në të gjithë rajonin.

Udhëheqësit u zotuan ta shndërrojnë APEC-un në një “inkubator më modern, efikas dhe efektiv të ideve”. I themeluar në vitin 1989, APEC-u përbëhet nga 21 ekonomi anëtare, përfshirë Kinën, ShBA-në, Rusinë, Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë, Kanadanë, Indonezinë, Malajzinë dhe Vietnamin.

Forumi përfaqëson më shumë se 60 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto global dhe rreth 40 për qind të popullsisë së botës.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë