| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Mevlana Rumi përkujtohet në Türkiyen qendrore në 752-vjetorin e vdekjes së tij
Si pjesë e ceremonive ndërkombëtare përkujtimore, kreu i Presidencës së Çështjeve Fetare të Türkiye (Diyanet), Safi Arpagus, mbajti një "Bisedë Mevlevi" në Konya.
Mevlana Rumi përkujtohet në Türkiyen qendrore në 752-vjetorin e vdekjes së tij
Mevlana Rumi përkujtohet në Türkiyen qendrore në 752-vjetorin e vdekjes së tij / Reuters
6 orë më parë

Në qytetin qendror të Türkiyes, Konya, të mërkurën, më 17 dhjetor, u mbajtën ceremonitë për ta shënuar 752-vjetorin e vdekjes së Mevlana Xhelaludin Rumit, duke tërhequr zyrtarë, figura fetare dhe vizitorë në ngjarjet që nderojnë dijetarin, poetin dhe mistikun e njohur islamik.

Si pjesë e ceremonive ndërkombëtare përkujtimore, kreu i Presidencës së Çështjeve Fetare të Türkiye (Diyanet), Safi Arpagus, mbajti një "Bisedë Mevlevi" në Konya.

Duke folur në ceremoninë në Qendrën kulturore "Mevlana", në të cilën mori pjesë edhe ministri i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy, Arpagus diskutoi për mësimet e Mevlanës dhe ofroi njohuri mbi traditën Mevlevi.

Pas fjalimeve, programi vazhdoi me koncert muzikor sufi të interpretuar nga Ansambli Historik i Muzikës Turke të Stambollit i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe artisti i njohur turk Ahmet Ozhan.

Më pas, Ansambli i Muzikës Sufi Turke i Konyas performoi ceremoninë e Semasë.

Trashëgimia e Rumit

Në Türkiye, Rumi njihet me dashuri si Mevlana, që do të thotë "mjeshtri ynë" ose "dijetari" dhe mauzoleu i tij në Konya vazhdon të tërheqë miliona pelegrinë çdo vit.

I lindur në vitin 1207 në një familje turke në atë që tani është Afganistani, Rumi është një nga mendimtarët më të lexuar në botë. Mësimet e tij mbi dhembshurinë, unitetin dhe dashurinë hyjnore kanë tejkaluar prej kohësh kufijtë e kulturës, gjuhës dhe fesë.

Kryevepra e tij, Masnavi, e shkruar pas humbjes së mentorit të tij të dashur Shams Tabrizi, eksploron temat e dashurisë shpirtërore, përulësisë dhe tolerancës. Teksti ndihmoi në përcaktimin e një tradite shpirtërore që përfshin Türkiyem, Iranin, Afganistanin, Azerbajxhanin dhe Azinë Qendrore dhe mbetet vepër themelore e letërsisë sufiste.

Me më shumë se 50 mijë vargje, Masnavi konsiderohet si një nga tekstet më me ndikim të sufizmit dhe është përkthyer nga persishtja origjinale në 26 gjuhë, përfshirë turqishten, anglishten, frëngjishten, spanjishten dhe arabishten.

Rumi është gjithashtu autor i Divan-i Kebir, një koleksion monumental me mbi 40 mijë poezi lirike që e forcuan më tej ndikimin e tij në misticizmin islam dhe letërsinë botërore.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë