| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Gjermania i kërkon ShBA-së të respektojë sovranitetin territorial të Grenlandës
Zv/kancelari Klingbeil para se të nisej nga Berlini për në Uashington tha se është “vetëm në dorën e Danimarkës dhe Grenlandës për të vendosur mbi të ardhmen e Grenlandës”.
Gjermania i kërkon ShBA-së të respektojë sovranitetin territorial të Grenlandës
Gjermania i kërkon ShBA-së të respektojë sovranitetin territorial të Grenlandës / Reuters
9 orë më parë

Gjermania i ka bërë thirrje ShBA-së të respektojë sovranitetin territorial të Grenlandës mes kërcënimeve të përsëritura amerikane për të pushtuar ishullin me forcë.

Zv/kancelari gjerman, Lars Klingbeil, para se të nisej nga Berlini për në Uashington tha për transmetuesin publik ARD se është “vetëm në dorën e Danimarkës dhe Grenlandës për të vendosur mbi të ardhmen e Grenlandës”.

Ai tha se parimet e së drejtës ndërkombëtare, të tilla si respekti për sovranitetin dhe integritetin territorial, vlejnë për të gjithë, përfshirë për ShBA-në.

“Ne, së bashku si aleatë të NATO-s, jo në kundërshtim me njëri-tjetrin, po rrisim sigurinë në Arktik”, tha Klingbeil.

ShBA-ja ka ftuar ministrat e financave të disa vendeve në Uashington për të diskutuar qasjen në lëndët e para kritike. Zv/kancelari Klingeil, njëherësh ministër federal i Financave, kishte njoftuar se ambiciet e ShBA-së në Grenlandë po ashtu do të diskutohen në margjinat e bisedimeve.

Që nga mandati i tij i parë në vitet 2017-2021, presidenti i ShBA-së, Donald Trump, vazhdimisht ka kërcënuar se do ta marrë Grenlandën me çdo mjet të nevojshëm, duke mos përjashtuar opsionin ushtarak. Ai thekson rëndësinë e madhe strategjike të ishullit dhe praninë e madhe të anijeve ruse dhe kineze në rajon.

Deklaratat e presidentit Trump janë shqetësuese në veçanti për aleatët evropianë, sepse ai refuzon përjashtimin e një shtrëngimi ushtarak dhe ekonomik për të fituar kontrollin e Grenlandës, një opsion për të cilin disa kanë shprehur frikë se mund t’i japë fund aleancës së NATO-s.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë